20:45 / E Diele, 03 Janar 2021 / Blerina Racaj

Bie teoria se 10 mijë hapa në ditë ju çon në humbje peshe

Gjatë gjithë këtyre viteve, teoria sipas së cilës 10 000 hapa në ditë ju çon në humbje peshe, fitoi shumë popullaritet, por sipas studimeve të fundit këto mijëra hapa nuk mund ta parandalojnë shtimin në peshë apo humbjen e saj, shkruan Chelsea Ritschel për ”The Independent”.

Për të zbuluar nëse mijëra hapa në të vërtetë sillnin ndryshim në peshë, studiuesit nga Departamenti i Shkencave të Sportit të Brigham Young University bashkëpunuan me kolegë nga Departamenti i Shkencave të Ushqimit dhe Dietologjisë, me të cilët zhvilluan një studim me nxënëset e kolegjeve.

Si pjesë e studimit, ata analizuan 120 nxënëse gjatë gjashtë muajve të parë të kolegjit. Nxënëset morën pjesë në një eksperiment të numërimit të hapave duke bërë 10, 12 apo 15 000 hapa në ditë, gjashtë ditë në javë për 24 të tilla.

Përveç hapave, studiuesit gjithashtu gjurmuan marrjen e kalorive dhe peshën e nxënëseve, përcjell Atsh.

Sipas përfundimeve të tyre, që u botuan në ”Journal of Obesity”, numri i hapave nuk i ndaloi nxënëset të shtonin në peshë, madje edhe midis atyre që bënin 15 000 hapa në ditë.

“Mungesa e rënies në peshë ishte e habitshme, pasi aktiviteti fizik u rrit progresivisht”, shkruajnë studiuesit.

Nga gjetjet, autori kryesor Bruce Bailey, profesor i shkencës së ushtrimeve në BYU, arriti në përfundimin se “vetëm ushtrimet nuk janë gjithmonë mënyra më efektive për të humbur në peshë”.

‘Nëse ecën mund të ketë një përfitim në rritjen e aktivitetit fizik, por studimi ynë tregoi se kjo nuk përkthehet në ruajtjen e peshës ose parandalimin e shtimit të peshës”, shtoi ai.

Sidoqoftë, studiuesit vunë në dukje se ecja nënkupton një ndikim të përgjithshëm pozitiv në aktivitetin fizik dhe përfitime të tjera emocionale dhe shëndetësore.

“Përfitimi më i madh i ecjes është nxjerrja e njerëzve nga një mënyrë jetese pasive. Edhe pse nuk do të parandalojë shtimin e peshës në vetvete, më shumë hapa janë gjithmonë më mirë për ju”, shton studiuesi.

Të fundit