11:13 / E Hënë, 15 Janar 2024 / k.v

Bien eksportet, AKB-ja tregon arsyet

Aleanca Kosovare e Biznesve është e shqetësuar pasi bizneset e Kosovës humbën 100 milionë euro eksporte të produkteve dhe shërbimeve në tregjet globale në vitin e kaluar.

AKB ka hulumtuar dhe studiuar gjendjen ekonomike dhe prodhuese në kuadër të Javëve të Biznesit Kosovar 2023.

Sipas tyre, të dhënat tregojnë se në vitin 2022 kishim eksport rreth 920 milionë euro, i shënuar si më i madhi pas lufte, ndërsa në vitin 2023 ra apo u tkurr në 820 milionë euro ose më pak për 100 milionë euro.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini deklaroi se arsyet kryesore të kësaj rënie të thellë të eksportit në Kosovë janë të shumta.

“Mos-subvencionimi i duhur i eksportit, mungesë e lirë e burimeve financiare, ngritja e çmimeve të lëndëve të para,mos përkrahja e promovimit të prodhimeve vendore në Kosovë dhe jashtë saj, politikat fiskale jo favorizuese për prodhuesit vendor si dhe mungesa e strategjisë eksoportues të qeverisë përmes ambasadorëve dhe atasheve ekonomikë jashtë Kosovës”, tha ai.