Big Basta flet për arsyet e rikthimit në Shqipëri

Big Basta ka folur për rikthimin e tij në Shqipëri dhe plant në muzikë. Ai së bashku me bashkëshorten, këngëtaren Vesa Luma do të vijnë me një bashkëpunim në Festivalin e 62-të të Këngës.
Në një intervistë për “Live from Tirana” ai ka folur për rikthimin në atdhe pas disa vitesh në Zelandën e Re.
“Doja të isha aty ku fillon bota. Ne që të vegjël jemi përpunuar për t’u larguar nga Shqipëria, që kur mësojmë gjuhët e huaja. Nuk na ka përgatitur njeri për të ndenjur në Shqipëri. E kuptova duke qëndruar andej se sa e rëndësishme ishte Shqipëria. Në Zelandën e Re kanë një politikë të jashtëzakonshme, të thonë që do ta duash shumë vendlindjen tënde. Ne si popull kemi të mirat dhe të këqijat tona si çdo popull tjetër. Unë u riktheva dhe së bashku me Vesën kemi vendosur të rrisim pasionin tonë sa i përket muzikës si dhe duam që djali të perfeksionojë gjuhën shqipe. Të rrijë me gjyshërit dhe njerëzit e tij të afërm”, tha Big Basta.
Si e sheh tregun muzikor pas rikthimit?
“Në tërësi ka ndryshuar shumë. Tani ka rrallë artiste të zhanrit rrok. Hip Hopi ka fituar si kulturë, është e përhapur në Shqipëri. Ka artistë të mirë por ka edhe kalimtarë. Nga ana cilësore është shumë lartë. Një nga të preferuarit e mi është Lyrical Son. Ka edhe të tjerë, ka artistë të rinj që janë shumë të mirë. Po ecin me hapat e duhur”, shtoi ai.