BIK-u ka një njoftim për haxhilerët që do të kthehen në Kosovë
Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se pas përfundimit të të gjitha ritualeve të haxhit dhe qëndrimit në Medinën e Resulullahut a.s., haxhilerët kosovarë do të nisin kthimin në vendlindje duke filluar nga mëngjesi i së premtes.
Sipas njoftimit, aeroplani i parë me haxhilerët nga Prishtina do të aterojë më 5 qershor në orën 01:15 pas mesnate.
Po të premten, në orën 12:25, pritet të mbërrijë grupi i dytë i haxhilerëve nga Podujeva, Fushë Kosova, Obiliqi, Gjakova dhe Klina.
Ndërkaq, më 6 qershor, në orën 01:10 pas mesnate, do të kthehet grupi i tretë me besimtarë nga Prizreni dhe Shtimja. Po atë ditë, në orën 09:45, do të aterojë grupi i katërt me haxhilerë nga Gjilani, Lipjani dhe Rahoveci.
Fluturimi i pestë është planifikuar për datën 6 qershor në orën 12:25, me haxhilerët nga Ferizaji, Kaçaniku, Hani i Elezit, Vitia dhe Kamenica.
Sipas BIK-ut, grupi i gjashtë, ku përfshihen haxhilerët nga Mitrovica, Vushtrria, Peja, Deçani, Istogu, Suhareka, Malisheva dhe diaspora, do të arrijë më 7 qershor në orën 08:55.
Ndërsa grupi i fundit do të kthehet më 8 qershor në orën 01:15 pas mesnate, me haxhilerët nga Drenasi, Skenderaj, Dragashi dhe rajoni i Gorës.
Bashkësia Islame e Kosovës ka uruar që Zoti t’ua ketë pranuar haxhin dhe ibadetet e kryera të gjithë besimtarëve, si dhe ata të kthehen shëndosh e mirë pranë familjeve të tyre.
BIK ka bërë të ditur se në rast të ndryshimeve eventuale në oraret e fluturimeve, publiku do të njoftohet me kohë.

