Bilall Sherifi me kritika të mëdha në drejtim të Albin Kurtit

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka shkruar në “Facebook”, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka hequr nga dorë misioni i tij për zhbërjen e shtetit të Kosovës, transmeton “Indeksonline”.
Sherifi thotë se të gjithë njerëzve, shqiptarë dhe të huaj që kanë ndjekur më vëmendje zhvillimet politike në Kosovë, u kujtohet agresiviteti i VV-së në përgjithësi dhe i Albin Kurtit në veçanti kundër themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe bartësve të institucioneve të saja shtetërore.
“Është e tepërt të përmend shembuj konkret, sepse kur përmendet dhuna ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës njerëzve u dalin parasysh qindra policë të gjakosur, ndërtesa të demoluara, vetura zyrtare të thyera, kamionë biznesesh të përmbysura”, ka shkruar Sherifi.
Postimi i plotë i Sherifit:
Albin Kurti nuk ka hequr dorë nga misioni i tij për zhbërjen e shtetit të Kosovës!
Të gjithë njerëzve, shqiptarë dhe të huaj, që kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë, u kujtohet agresiviteti i VV-së në përgjithësi dhe i Albin Kurtit në veçanti kundër themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe bartësve të institucioneve të saja shtetërore.
Është e tepërt të përmend shembuj konkret, sepse kur përmendet dhuna ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës njerëzve u dalin parasysh qindra policë të gjakosur, ndërtesa të demoluara, vetura zyrtare të thyera, kamionë biznesesh të përmbysura…
Qasja e tillë e Albin Kurtit dhe e VV-së kundër çdo gjëje që përbënte format embrionale mbi të cilat duhej të ndërtohej dhe forcohej shtetësia e vendit tonë, përforcoi bindjen se Albin Kurti kishte marrë për mision zhbërjen e shtetit të Kosovës.
Në funksion të realizimit të ambicieve për kapjen e shtetit, ambicie e kamufluar me gjoja projektin e krijimit të “Republikës së Tretë”, Albin Kurti vazhdon me spastrimin e kuadrove nga çdo institucion politik, diplomatik, ekonomik dhe kulturor dhe vendosjen e njerëzve partiak që i nënshtrohen diktatit të tij.
Spastrimi i kuadrove profesionale mbi kriteret partiake dhe dëliri për të bërë çdo gjë sipas kutit të vet, e kanë verbuar deri në atë shkallë Albin Kurtin, saqë të merr guximin dhe të mos zbatojë marrëveshjen për blerjen e vaksinave Pfizer dhe në këtë mënyrë të vonojë për muaj të tërë vaksinimin e popullit, vetëm e vetëm për arsye se një marrëveshje e tillë nuk ka qenë e kontraktuar nën kontrollin e tij.
Albin Kurti nuk u ndal me kaq!
Në kohën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëronte për rreziqet e mëdha që i kanoseshin njerëzimit nga varianti Delta e COVID-19, Qeveria e tij hoqi masat parandaluese të përhapjes së virusit;
Në kohën kur nga virusi vdisnin zyrtarisht me dhjetëra qytetarë në ditë dhe me mijëra të tjerë rezultonin të infektuar, Qeveria Kurti 2 mbylli mundësinë e regjistrimit onlinë për ata që dëshirojnë të vaksinohen;
Në kohën kur me qindra familje janë veshur në zi vetëm javëve të fundit, ndërkaq me mijëra familje të tjera jetojnë nën ankthin e vazhdueshëm për familjarët e tyre të sëmurë, Qeveria Kurti 2 mbylli qendrat e vaksinimit ditëve të ëeek-endit, kur njerëzit janë më të lirë për t’u vaksinuar.
Përveç dëmeve në rrafshin e brendshëm politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor në funksion të strategjisë së zhbërjes së shtetësisë së Kosovës, Albin Kurti zbatoi veprime të tilla që cenojnë rëndë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Republikën e Shqipërisë.
Në përputhje me ambiciet e tija shkatërruese, Albin Kurti krijoi VV-në edhe në Shqipëri, me shpresë se edhe atje do të gjejë mbështetës për aventurat politike me rreziqe të mëdha për kombin shqiptar. Dhe mu në kohën kur duhej të merreshin me parandalimin e përhapjes së pandemisë, deputetët dhe ministrat e VV-së u bënë pjesë aktive e fushatës përçarëse elektorale në Shqipëri.
Krahas veprimeve të dëmshme në rrafshin kombëtar, Albin Kurti zbatoi veprime të atilla që cenojnë rëndë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me shtetet më të fuqishme demokratike që mbështetën vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur nga Serbia.
Mishërimi i logjikës kurtiane me ambicien absolutiste “KREJT DHE DREJT” dhe veprimet e deritashme të qeverisë së Albin Kurtit simbolizojnë ëndrrën e kamotshme të diktatorëve për të krijuar situatën e tillë shoqërore ku do të mund të pohonte: SHTETI JAM UNË!