11:29 / E Enjte, 22 Gusht 2019 / indeksADMonline

Sherifi: Ta kërkojmë mbështetjen e sinqertë para sovranit

Sekretari i Nismas Socialdemokrate, Biall Sherifi, ka thënë se sot Kuvendi i Kosovës, deputetët e legjislaturës së gjashtë morën vendimin për ta shpërndarë legjislaturën, që sovranit t’ia kthejnë mandatin.

“Besoj se sovrani do ta rikthejë mandatin tonë. Sot u morëm vesh që së paku të flasë nga një përfaqësues në Kuvend, por kryetari nuk e respektoi dhe hodhi një mocion tjetër në votim. Nuk ishte e drejtë, sepse debati filloi nga përfaqësuesi i LDK-së, ndërsa nuk iu dha mundësia edhe deputetëve tjerë”, ka thënë Sherifi, transmeton Indeksonline.

Ai tha se Avdullah Hoti harroi të falënderonte Ramush Haradinajn se me dorëheqjen e tij mundësoi që vendi të shkonte në zgjedhje, sepse ndryshe sa i përket opozitës nuk do të kishte zgjedhje.

“Opozita nuk do të kishte arritur ta shpërndante këtë legjislaturë sikur Haradinaj të mos jepte dorëheqjen”, tha ai.

Sa u përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme ai tha se secili do të japë llogari para qytetarëve për meritat dhe dështimet. Pra ato janë të gjitha të partnerit të koalicionit, pavarësisht se kush ishte ministër apo deputet.

“Le të dalim dhe ta kërkojmë mbështetjen e sinqertë para sovranit”, ka deklaruar Sherifi.

Ai ka thënë se aktualisht nuk ka ndonjë marrëveshje për të hyrë në koalicion me ndonjë subjekt politik, mirëpo ka thënë se kryesia e partisë e ka mandatuar kryetarin Limaj që të diskutojë me subjektet politike.

Në fund ai tha se Nisma Socialdemokrate do të jetë sërish e përfaqësuar në Kuvend pavarësisht me kë./Indeksonline/