09:35 / E Martë, 29 Dhjetor 2020 / Blerim

Bill Gates jep një lajm të keq për vitin 2021

Me nisjen e vaksinimit në BE dhe në SHBA, themeluesi i Microsoftit, Bill Gates, ka folur për atë që na pret në vitin 2021, në të cilin do të hyjmë pas pak ditësh.

Në një postim në blogun e tij personal, Gatesi tha: “Ka dy arsye për të pasur shpresë”, por paralajmëron se jemi ende herët për t’iu kthyer jetës normale, pasi “nuk jemi jashtë rrezikut”.

Ai theksoi se lajmi i keq i ditëve të fundit është varianti i ri i koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar: “Pandemia mund të përkeqësohet në muajin e ardhshëm. Duhet të mësojmë më shumë mbi variantin e ri që është shfaqur, që duket se transmetohet më shpejt”.

“Shpresa e madhe” e vitit të ri, sipas Gatesit, janë vaksinat dhe trajtimet. “Vaksinat dhe trajtimet për të cilat kam lexuar, do të kenë impakt global. Numri i rasteve të reja dhe viktimave, do të zvogëlohet shumë, sidomos në vendet e pasura dhe jeta do t’i afrohet shumë normalitetit”, mbyll postimin e tij Bill Gatesi.