13:46 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

Biografia e Ramë Likajt, ministrit në detyrë që synon ulësen e deputetit në Kuvendin e Kosovës

Ministi në detyrë i Arsimit e Shkencës…, Ramë Likaj, i është futur garës për deputet në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Një nga miqtë e tij të afërm, Ramiz Bajramaj ka publikuar një pjesë të biografisë së Likajt. Ish-ushtari i UÇK-së vlerëson shumë Likajn duke e quajtur profesionist të madh e njeri të ndershëm.

“Prof. dr. Ramë Likaj është kandidat për deputet në listën e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me #nr51. Prof. Likaj ishte ministër i Arsimit të Republikës së Kosovës në kohën kur arsimi kosovar përballej me vështirësitë më të mëdha që nga vitet ’90-të, si pasojë e pandemisë.
Ai më mirë se kush më parë, jo vetëm që ka menaxhuar politikat arsimore, por edhe mësimin online. Prandaj, nëse do t’ia atribuonim dikujt këtë menaxhim të mirë të arsimit, sidomos në këtë krizë globale, përveç mësimdhënësve, ajo ka një adresë të vetme: Ramë Likajn.


Kush është Ramë Likaj?
Likaj u lind më 24 mars 1971, në Deçan, aty ku kreu shkollimin e fillor dhe të mesëm. Ai ndoqi studimet universitare në tri shkallë, si: studimet themelore, magjistraturën dhe doktoraturën në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. Për sukses të dalluar në studime ka fituar bursën: Student i dalluar.
Po ashtu edhe si nxënës i shkollës së mesme, në gara të ndryshme të diturisë, të nivelit nacional, ai ishte ranguar më së larti. Ndërsa për të fituar çmimin Student i dalluar dhe për të arritur gradat shkencore, ai ka kaluar nëpër të gjitha filtrat akademikë e shkencorë.
Ramë Likaj, si student, si studiues, si mësimdhënës, është një prej shembujve më të mirë për shumë breza që gjakim kanë edukimin, arsimimin dhe ngritjen profesionale.
Likaj, në Universitetin e Prishtinës punon për 26 vjet radhazi, konkretisht në Departamentin e Mekatronikës të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Ai, po ashtu ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore dhe projekte ndërkombëtare, ndërsa ka të publikuara si autor dhe koautor dhjetëra punime shkencore dhe tekste universitare. Gjithashtu ka të publikuara dhjetëra hulumtime e raporte në fushën e arsimit.
Gjatë karrierës së tij akademike ka kryer disa specializime në fushën profesionale dhe të mësimdhënies, si në Gjermani, Itali, Austri, Kroaci, Slloveni etj., dhe ka marrë pjesë dhe përfaqësuar Kosovën në shumë konferenca e punëtori ndërkombëtare.
Që nga viti 1999, Likaj ka punuar në projekte ndërkombëtare në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit, që lidhen pikërisht me fushën e arsimit dhe aftësimit profesional për organizatat siç janë: Komisioni Evropian, European Training Foundation, GIZ, LuxDevelopment, Kfë, ëUS Austria, Kulturkontakt etj.

Duke qenë i provuar në fushën profesionale dhe njeri me integritet të lartë, Likaj, gjatë karrierës së tij akademike ka kryer edhe këto detyra, si: Kryetar i Bordit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, 2015-2016, Kryetar i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional, 2015, Koordinator i Republikës së Kosovës për vlerësimin PISA 2016, Koordinator i Kosovës për Procesin e Torinos, 2015-2016, Koordinator i MASHT-it për vlerësimin e Planit Strategjik të Arsimit 2011-2016, Koordinator i MASHT-it për Zhvillimin e Planit Strategjik të Arsimit 2017-2021, anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, anëtar i rrjetit të Evropës Juglindore për trajnimin e arsimtarëve dhe trajnerëve të arsimit dhe aftësimit profesional, që nga viti 2003, Torino, Itali, pjesë e grupit punues për hartimin e planit Zhvillimor Qeveritar 2017-2021.

Likaj, duke qenë ekspert i arsimit, ishte edhe pjesë e Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional për dy mandate, MASHT 2006-2017, anëtar dhe Kryesues i Paneleve të ekspertëve për Validim të Kualifikimeve dhe Akreditim të Institucioneve, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, Këshilltar i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë 2015-2017, Këshilltar për Arsim i Kryeministrit të Kosovës Z.Ramush Haradinaj, 2018-2019 etj.
Prandaj, Kuvendit të Kosovës, i duhet një deputet si Ramë Likaj: profesionist dhe artikulues i qartë i qëllimeve, reformator dhe vizionar, njeri me integritet personal dhe me identitet shkencor e nacional.
Ai duhet të jetë aty si përfaqësues yni për të çuar arsimin para!
Ai duhet të jetë aty si përfaqësues i të gjithëve, në veçanti, i nxënësve dhe i studentëve, i mësimdhënësve dhe i të gjitha shtresave sociale që synojnë NDRYSHIMIN” thuhet në biografinë publikuar nga Bajramaj.