Biondja më e famshme e modës? Jo më! Gigi Hadid vjen me një look që s’e prisnim
Gigi Hadid ka befasuar ndjekësit dhe industrinë e modës me një transformim të papritur në pamjen e saj, duke lënë pas flokët e saj bionde karakteristike që prej vitesh e kanë identifikuar, shkruan IndeksOnline.
Supermodelja 30-vjeçare është shfaqur së fundmi me një stil tërësisht të ri flokësh, të zinj, të prerë shkurt në formë bobi deri në mjekër, një ndryshim i guximshëm që u zbulua përmes një fotografie glamuroze të publikuar në Instagram nga stilisti i saj i flokëve, Dimitris Giannetos.
Pamja e re, e përshkruar si një “mini bob i zi mat”, u realizua në kuadër të një fotosesioni për Maybelline, markë ndërkombëtare e grimit për të cilën Hadid ka qenë prej kohësh ambasadore. Flokët, me efekt të lehtë të lagësht, i dhanë supermodeles një pamje elegante dhe moderne, duke theksuar stilin e saj të sofistikuar.
Ky ndryshim vjen në prag të Vitit të Ri dhe përkon me një periudhë të re në jetën personale të Gigi Hadid, e cila sipas mediave ndërkombëtare po përjeton momente të rëndësishme edhe në planin sentimental. Ndërkohë, transformimi i saj ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat e kanë cilësuar pamjen e re si një nga më të guximshmet e saj deri më tani.

