75 Mall Live Search
22:25 / E Enjte, 22 Janar 2026 / F.R

Bisedimet për paqe në Ukrainë, Witkoff dhe Kushner mbërrijnë në Moskë për ta takuar Putinin

Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Donald Trumpit, dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në Moskë për bisedime me njeriun e fortë të Kremlinit, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë.

Kremlini njoftoi se dy zyrtarët amerikanë janë drejtuar menjëherë drejt Kremlinit, ku bisedimet tashmë kanë nisur.

Sipas agjencive ruse të lajmeve TASS dhe RIA Novosti, avioni që transportonte të dërguarit amerikanë u ul në aeroportin Vnukovo të Moskës, duke ardhur nga Zvicra, ku Witkoff dhe Kushner kishin marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kujtojmë se sot Zelensky nga Davosi ka bërë të ditur se një delegacion amerikan do të udhëtojë sot drejt Moskës, pas përfundimit të takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump.

Sipas Zelenskyt, ekipi ukrainas do të takohet fillimisht me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, ndërsa më pas, duke nisur nga dita e nesërme, do të zhvillohet një takim trepalësh dyditor mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Emiratet e Bashkuara Arabe.