75 Mall Live Search
09:58 / E Enjte, 20 Nëntor 2025 / MSH

Bisedimet për përfundimin e luftës/ Zyrtarët amerikanë arrijnë në Ukrainë

Zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë mbërritur në Ukrainë, për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Kështu deklaroi ushtria amerikane, shkruan BBC.

Ekipi, i udhëhequr nga sekretari i ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, pritet të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot.

Raportet pohojnë se SHBA-ja dhe Rusia kishin përgatitur një plan të ri paqeje, që përmbante lëshime të mëdha nga Ukraina.

Megjithatë, as Uashingtoni dhe as Moska nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht planin.

“Sekretari Driscoll dhe ekipi mbërritën në Kiev këtë mëngjes në emër të administratës në një mision faktmbledhës për t’u takuar me zyrtarët ukrainas dhe për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”, tha në një deklaratë zëdhënësi i ushtrisë, kolonel David Butler.

Driscoll shoqërohet nga shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, gjenerali Randy George, komandanti më i lartë i forcave amerikane në Evropë, gjenerali Chris Donahue, dhe gjenerali major i ushtrisë, Michael Weimer.

Driscoll dhe gjenerali George janë zyrtarët më të lartë ushtarakë amerikanë që zhvillojnë bisedime në kryeqytetin ukrainas, që kur presidenti Donald Trump mori detyrën në janar.