75 Mall Live Search
21:35 / E Premte, 23 Janar 2026 / F.R

“Bisedimet SHBA–Ukrainë–Rusi do vijojnë nesër”/ Abu Dabi, zyrtari amerikan: Takimi i sotëm, produktiv

Bisedimet trepalëshe mbi luftën ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, të mbajtura në Abu Dhabi, kanë përfunduar për ditën e sotme dhe pritet të vazhdojnë nesër.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar se takimi i sotëm ishte konstruktiv.

“Takimi trepalësh i sotëm në Abu Dhabi midis Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë ishte produktiv. Bisedat do të vazhdojnë nesër”, ka thënë ai.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se çështjet territoriale do të jenë pjesë e diskutimeve në Abu Dhabi.

Këto çështje mbeten një nga pikat kryesore të ngërçit, pasi Rusia kërkon që Ukraina të dorëzojë territorin që ende mban në rajonin lindor të Donetskut, i cili vlerësohet të jetë rreth 20%.

Zelensky ka refuzuar një kërkesë të tillë, duke theksuar se Ukraina nuk do të heqë dorë nga territori që e ka mbrojtur me sukses, por me kosto të lartë, gjatë viteve të fundit.