75 Mall Live Search
15:34 / E Diele, 26 Tetor 2025 / Burim

“Bisha” e re e Rusisë/ Testohet raketa bërthamore, e aftë për të shmangur çdo mbrojtje

Rusia ka testuar me sukses raketën e saj bërthamore Burevestnik, një armë që Moska thotë se mund t’i shmanget çdo sistemi mbrojtës.

Raketa, e cila është e aftë për të mbajtur bomba bërthamore, udhëtoi për 14 mijë kilometra dhe qëndroi në ajër për rreth 15 orë kur u testua me 21 tetor.

Gjenerali më i lartë i Rusisë, Valery Gerasimov, tha se arma e re është e pamposhtur ndaj mbrojtjeve raketore aktuale dhe të ardhshme, me një rreze veprimi pothuajse të pakufizuar dhe një rrugë fluturimi të paparashikueshme.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se kjo është një armë unike që askush tjetër në botë nuk e ka.

Kreu i Kremlinit tha se disa specialistë rusë i kishin thënë dikur se arma nuk kishte gjasa të ishte ndonjëherë e mundur, por tani, tha ai, testimi i saj vendimtar ka përfunduar.

Putin i tha gjeneralit të tij më të lartë se Rusia tashmë duhet të kuptojë si ta klasifikojë armën dhe të përgatisë infrastrukturën për vendosjen e raketës.

Lëvizja më e fundit e Rusisë vjen në një kohë kur tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit janë rritur. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë, pasi Vladimir Putin nuk ka bërë hapa konkretë drejt një armëpushimi në Ukrainë, pavarësisht përpjekjeve të Donald Trump.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara së bashku kanë rreth 87% të inventarit global të armëve bërthamore – të mjaftueshme për të shkatërruar botën shumë herë. Rusia ka rreth 5500 koka bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thuajse 5200, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.