75 Mall Live Search
17:44 / E Enjte, 22 Janar 2026 / F.R

Bislimi e Petkoviq në raund të ri të negociatave në Bruksel, Qeveria në detyrë deri tash s’ka njoftuar asgjë për takimin

Një takim mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, është lajmëruar se do të mbahet në Bruksel nën ndërmjetësimin e emisarit Peter Sorensen. Lajmi për të u bë i ditur nga pala serbe mbrëmë dhe BE sot, ndërsa në Kosovë nuk njoftoi askush. Ky takim do të jetë i pari për këtë vit dhe vjen pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë e Beograd.

Zyra e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, nuk ka treguar nëse zëvendësi i Kurtit ka udhëtuar drejt Brukselit  për një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Brukseli ka konfirmuar duke thënë se bëhet fjalë për takim të rregullt.

“Mund të konfirmojmë se emisari special i Bashkimit Evropian për Dialogun, Peter Sorensen është duke udhëhequr takimin e rregullt të kryenegociatorëve në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigje zyrtare të BE për Kohën.

Gazeta Express ka provuar të marrë përgjigje nga këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, por ai s’është përgjigjur në pyetjen e gazetës.

Takimi vjen pas një vizite që pati emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në Prishtinë e më pas edhe në Beograd.

Derisa qëndroi në kryeqytetin kosovar, diplomati danez tha se ishte optimist që ky vit do të hapte rrugën pas bllokadës ku ka hyrë procesi i dialogut.

Takime të nivelit të lartë s’janë mbajtur që nga viti 2023 kur u rritën tensionet mes dy vendeve fqinje për shkak të sulmit të Banjskës.

“Kam shpresë të madhe, sigurisht, personalisht, që 2026 na sjell atë që 2025 nuk e solli. Dhe prandaj po e nis vitin e punës me një udhëtim pune këtu”, kishte thënë Sorensen më 14 janar në Prishtinë.

Në këtë vizitë ai ishte takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Por, takime të tilla s’pati në Beograd meqë atje s’e takoi as presidentin dhe as kryeministrin e vendit.

Për takimin e sotëm që pritet të zhvillohet në Bruksel, Radio Evropa e Lirë raportoi se i dërguari i bllokut do të zhvillojë bisedime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës dhe me atë të Serbisë, ndërsa më pas pritet edhe një takim trepalësh mes tyre.

Mësohet se në agjendë të rundit të ri do të jetë Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën kishin arritur pajtueshmëri më 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, shkroi REL.

Në anën tjetër, mediat serbe mbrëmë raportuan se delegacioni serb i kryesuar nga Petkoviq ka arritur në Bruksel.

Tanjug raportoi se pala serbe “do të këmbëngulë” në kërkesën e saj për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe se do të flasë për “pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”.

Rundi i fundit i dialogut në nivel teknik është mbajtur në shtator.