21:31 / E Premte, 10 Prill 2020 / indeksADMonline

Bislimi: FMN aprovoi financimin prej 52 milionë eurosh për Kosovën

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bilsimi, deklaroi se sot Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) aprovoi financimin për Kosovën në vlerë prej 52 milionë eurosh.

Sipas tij, aprovimi i këtij financimi është bërë i mundur pas një serie të diskutimeve midis ekipit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe atij të FMN-së, mbi vlerësimin e ndikimit ekonomik dhe fiskal të masave që ndërlidhen me virusin COVID 19.

“Ky financim vjen në një periudhë mjaft kritike për vendin, dhe me këtë rast Ministria e Financave dhe Transfereve vlerëson lart mobilizimin e shpejtë të ekipit teknik të FMN-së dhe aprovimin e menjëhershëm të këtij financimi nga Bordi Ekzekutiv”, tha Bislimi.

Sipas tij, në ditët dhe javët në vijim presin edhe aprovime të financimeve nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare, si pjesë e mobilizimit të qeverisë për gjetjen e burimeve shtesë të financimit, pas boshllëkut buxhetor, të krijuar nga ngjarjet e fundit.