Bislimi: Kosova po vijon intensivisht punën për anëtarësimin në SEPA

Në Europe House, u zhvillua sot diskutimi me temë “Aderimi në SEPA – Përfitimet Ekonomike për Kosovën”. Zëvendëskryeministri i Besnik Bislimi i cili ishte pjesëmarrës në panelin e diskutimit, tha se Kosova po vijon intensivisht punën për anëtarësimin në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas njoftimit nga Qeveria, prezent në ngjarje ishin edhe Shefi i Misionit të BE-së, Aivo Orav, Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, Ambasadorja e Kroacisë, Danijela Barisic, Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut, Shpresa Jusufi, si dhe përfaqësues nga Ekipi Ekonomik Gjerman (German Economic Team).
Në adresimet e tij, zëvendëskryeministri ka thënë se Republika e Kosovës po vijon intensivisht punën për anëtarësimin në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA).
“Ai nënvizoi punën që po zhvillohet në lidhje me miratimin e tri ligjeve të domosdoshme siç është ligji për bankat, ligji për shërbimet e pagesave dhe ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Gjithashtu, zëvendëskryeministri theksoi se edhe Banka Qendrore e Kosovës ka draftuar 20 rregullore që ndërlidhen me SEPA, të cilat pritet të kalojnë për miratim pas aprovimit të këtyre ligjeve në Kuvendin e Republikës”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se zëvendëskryeministri ka theksuar se avancimi drejt integrimit në SEPA është një hap i rëndësishëm në kuadër edhe të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në familjen evropiane.