75 Mall Live Search
21:54 / E Mërkurë, 19 Nëntor 2025 / Z S

Bislimi mori pjesë në darkën joformale ministrore BE-Ballkan Perëndimor

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në darkën joformale ministrore BE-Ballkan Perëndimor.

Sipas njoftimit Bislimi falënderoi Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas për ftesën dhe Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, gjersa përgjatë takimit zëvendëskryeministri pati mundësinë për t’iu adresuar të pranishmëve.

‘’Zëvendëskryeministri theksoi rrezikun që shfaqin për demokracinë dhe zhvillimin kërcënimet e sigurisë dhe sulmet e vazhdueshme hibride dhe rëndësinë e unitetit në përballjen ndaj tyre.Në vijim, ai uroi Shqipërinë dhe Malin e Zi në avancimin e rrugëtimit të integrimit evropian dhe hapjes së kapitujve drejt anëtarësimit në BE, si dhe përkushtimit të Ukrainës dhe Moldavisë ndaj integrimit në unionin evropian. Shtoi se Kosova ka mbështetur dhe vazhdon të përkrahë Ukrainën në luftën e tyre kundër agresionit rus’’, thuhet në njoftim.

Më tutje në njoftim thuhet se në lidhje me progresin e vendit tonë, Bislimi theksoi se përkundër barrierave me të cilat jemi përballur, kemi arritur të shënojmë avancim në shumë fusha.

Bislimi tha se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, gjersa vendi ynë gëzon dhe mbështetje të fuqishme qytetare ndaj integrimit.

Ai theksoi gjithashtu rrezikun që vjen ndaj interferencave të elementeve malinje që e shohin rajonin si hapësirë për destabilizim dhe largim të vëmendjes nga lufta në Ukrainë, ndërsa integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës sfidohet e sulmohet në vazhdimësi nga fqinji ynë verior, si me shkrim përmes letrave të depozituara në BE ashtu edhe përmes akteve terroriste në terren të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar./Indeksonline/