75 Mall Live Search
21:45 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / Z S

Bislimi për buxhetin e RTK-së: Deputetët duhet të marrin përgjegjësi

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka folur për buxhetin e transmetuesit publik, gjendjen e pagave në RTK, si dhe për gjetjet e Raportit të Progresit të publikuar dje.

Në një intervistë për RTK-në, Bislimi tha se situata aktuale me bllokimin e buxhetit nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe se deputetët duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre.

“Zgjidhja imediate ka qenë kjo që kemi pasur, por nuk mendoj se duhet të vazhdojë. Duhet pak më shumë presion publik mbi deputetët për t’u treguar se ata i kanë fituar ato ulëse për të marrë përgjegjësi, jo për të shpërfaqur inat. Paga e deputetit nuk është rastësisht ndër më të lartat në sistemin publik të Kosovës,” tha ai.

Bislimi shtoi se disa deputetë po e shfrytëzojnë “situatën komfore”.

“Ata që mendojnë se duke lënë pa paga dëmtojnë një subjekt politik, duhet të bartin koston politike të vendimit të tyre,” theksoi Bislimi.

Sa i përket Raportit të Progresit, ai e cilësoi atë si më objektivin ndër vite.

“Këtë vit raporti është jashtëzakonisht më objektiv. Është hera e parë që nuk kemi nevojë të shpenzojmë energji për të bindur partnerët në Bruksel se disa nga vlerësimet janë të gabuara. Pjesa më e madhe e vlerësimeve është brenda suazave të korrektësisë”.

Duke folur për zhvillimet politike, Bislimi tha se qeveria ka vepruar në përputhje me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket mandatarit për formimin e qeverisë.

“Në rast kur mandatari i parë nuk kalon, Presidenca ka diskrecion të caktojë një mandatar të dytë. Por në këtë rast, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kandidat për raundin e dytë, ndërsa subjektet e tjera vetëm kanë bllokuar pa ofruar alternativa”.

Ai shtoi se para votimit për Qeverinë Kurti 3, shumë liderë politikë kishin dërguar mesazhe kërcënuese ndaj deputetëve që mund të votonin pro formimit të qeverisë./Indeksonline/