19:37 / E Enjte, 10 Mars 2022 / MSH

Bislimi sqarohet pasi u demantua nga zëvendëssekretari i KE-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua sot me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

Pas këtij takimi, Bislimi kishte shkruar ndër të tjerash në Twitter se Bjorge mirëpriti iniciativën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës.

Megjithatë, një gjë e tillë u demantua nga Berge, i cili tha se një gjë të tillë nuk e ka deklaruar në mbledhje.

“Fatkeqësisht, ky nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me një aplikim të mundshëm në KE” kishte reaguar Berge.

Ndërkohë, një “gabim” të tillë e ka korrigjuar edhe zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai ka bërë një postim sqarues në Twitter, ku thotë se ka bërë ngatërrim fjalësh.

“Me të vërtetë falënderues për Bjorn Berge, për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve. Me të vërtetë më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat në tweet-in tim të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhet të thotë “ne informuam”” ka shkruar në Twitter Bislimi.