13:57 / E Enjte, 14 Dhjetor 2023 / S Z

Bislimi takim ambasadorin belg, kërkon mbështetje për integrimin e Kosovës

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Ambasadorin e Belgjikës, Gregoire Cuvelier, me të cilin biseduan për thellimin e bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve e më theks të veçantë në integrimin e Kosovës në BE.

Në takim, u nënvizuan marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe dhe mbështetja e vazhdueshme e Belgjikës për Republikën e Kosovës. Biseda soç thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kryeministria, preku fusha kyçe me interes të përbashkët, duke theksuar përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen veçanërisht për vendimin e Belgjikës për të ngritur përfaqësinë diplomatike në Kosovë në nivel ambasade, si dhe emërimin e ambasadorit të parë rezident, Gregoire Cuvelier.

Në vijim, u theksua fakti që nga 1 janari deri më 30 qershor 2024, Belgjika do të ketë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, ndërsa Bislimi veçoi këtë si mundësi për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në lidhje me integrimin evropian të Kosovës.

Ai shtoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është me rëndësi gjeostrategjike.

“Tashmë ka kaluar pothuajse një vit që nga aplikimi i vendit tonë për anëtarësim në BE, e ku Kosova kërkon progres në këtë drejtim dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Në këtë prizëm, progresi i Kosovës duhet të vlerësohet në bazë të maturisë së institucioneve tona dhe përmes një procesi të bazuar në merita, ku në vazhdimësi kemi dëshmuar se vendi ynë përket në familjen evropiane dhe duhet të avancojë tutje në rrugëtimin drejt BE-së”, ka deklaruar Bislimi.

Në takim, zëvendëskryeministri kosovar theksoi dhe përkushtimin e objektivin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Më tej, ai e informoi ambasadorin belg dhe mbi zhvillimet në lidhje me procesin e dialogut, njofton Kryeministria.