Bislimi takohet me deputetë të Parlamentit të Danimarkës

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, vijoi agjendën në Kopenhagë përmes takimit me deputetë të Parlamentit të Danimarkës.
Atje, ai bashkëbisedoi me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Christian Friis Bach, zëvendëskryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane, Henrik Moller, nënkryetarin e Parlamentit Lars Christian Brask dhe deputetët Yildiz Akdogan dhe Jon Stephensen.
Zëvendëskryeministri i informoi rreth zhvillimeve të fundit në vend, procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe progresit të vendit në katër vitet e fundit.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës dhe përkrahjen veçanërisht drejt integrimit euro-atlantik.
Në takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej dhe nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.