75 Mall Live Search
14:09 / E Martë, 14 Maj 2024 / S Z

Bislimi takohet me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, kërkon përkrahje për anëtarësim në KiE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot është takuar me Ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó

Sipas komunikatës së Qeverisë, temë diskutimi ka qenë fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe rritja e bashkëpunimit.

Bislimi e ka falënderuar ministrin Szijjártó për mbështetjen e Hungarisë ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“Ai veçoi përkrahjen në procesin e liberalizimit të vizave, në pranimin e Republikës së Kosovës si pjesë e UEFA-s gjatë Konferencës së Budapestit në vitin 2016, e cila trasoi rrugën edhe drejt anëtarësimit tonë në FIFA si dhe votën pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO në vitin 2015. U vlerësua lartësisht dhe kontributi i vazhdueshëm i kontigjentit hungarez brenda KFOR-it, në ruajtjen e paqes e sigurisë në vend dhe rajon”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, temë tjetër thelbësore ka qenë rëndësia e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Rrugëtimi i Kosovës në procesin e integrimit evropian ishte tjetër pikë thelbësore e bisedave mes palëve. Teksa u theksua bashkarisht rëndësia e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, zëvendëskryeministri nënvizoi angazhimin e vendit tonë në përmbushjen e kritereve, standardeve dhe agjendës së reformave në këtë proces, përfshirë përgatitjet sa i përket Planit të Rritjes, finalizimit të prioriteteve dhe listës së reformave indikative”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Derisa, Bislimi ka rikujtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, ku ka kërkuar përkrahjen e secilit shtet për mbështetje drejt institucioneve ndërkombëtare.

“Më tej, zëvendëskryeministri Bislimi rikujtoi aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën tashmë për ecjen tutje në hapa konkret dhe pritjet që Kosova ka edhe nga Presidenca e ardhshme hungareze e Këshillit të BE-së në trajtimin meritor të aplikimit tonë. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi dhe rëndësinë e anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës e ku kërkoi përkrahjen nga secili shtet që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe që e mbështet integrimin tonë drejt institucioneve kryesore ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Në fund, zëvendëskryeministri ka falënderuar ministrin Szijjártó për mikpritjen dhe pikëpamjet e shkëmbyera.