Bislimi takon shefen e Zyrës Ndërlidhëse greke, diskutojnë për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.
Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi ofroi ngushëllimet e tij më të sinqerta ambasadores Vakali në lidhje me aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur mbrëmë në Greqinë qendrore, duke thënë se i qëndrojmë pranë Greqisë në këtë moment të vështirë dhe bashkëndjejnë me miqtë grekë.
Vakali vlerësoi në mënyrë të veçantë ngushëllimin e shprehur nga ana e zëvendëskryeministrit dhe atë të liderëve institucionalë në Kosovë.
Gjatë takimit, u diskutua në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Greqi, prioritetet dhe interesat e përbashkëta, format e thellimit të bashkëpunimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Për Kosovën, Greqia është një vend partner, me të cilin synon që të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe ndërveprimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadoren Vakali edhe mbi zhvillimet e fundit në lidhje me procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel./IndeksOnline/