10:02 / E Mërkurë, 03 Mars 2021 / k.v

Bixhozi në Mitrovicë/ Shoqërohet në polici i dyshuari që ishte në kërkim

Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion një të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në Mitrovicë.

Me 19 shkurt të këtij viti, njësitet policore, pas pranimit të informatës për kryerjen e veprës së cekur- zhvillim i lojërave të fatit, kanë filluar bastisjen në konsultim me prokurorin, dhe me urdhër të GJPP-së.

Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar: gjashtë aparate të ndryshme të lojërave, një shtëpizë kompjuteri dhe një monitor.

Pas hetimeve të zhvilluara, të martën policia ka identifikuar dhe shoqëruar në stacion për intervistim njërin nga të dyshuarit e këtij rasti.

“Lidhur me rastin, është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, ku me vendim të prokurorit, është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e sotëm të policisë./IndeksOnline/