75 Mall Live Search
13:39 / E Mërkurë, 11 Qershor 2025 / MSH

Bizneset e kanë seriozisht, numër i madh protestuesish rrugëve të Prishtinës

Një numër i madh protestuesish ka marshuar sot në Prishtinë, për të kundërshtuar daljen në treg të lirë të energjisë elektrike.

Protesta u përqendrua në sheshin kryesor të Prishtinës, përballë qeverisë, me qindra qytetarë dhe pronarë biznesesh që bën thirrje për transicion, shkruan IndeksOnline.

Në protestën e sotme të bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për hyrjen në fuqi nga 1 qershori të tregut të lirë të qeverisë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se asnjë biznes nuk është kundër tregut të lirë, por kërkojnë fazë transicioni.

“E kemi një kërkesë të vetme: na jepni një fazë të transicionit, përgatiteni tregun e më pas edhe një paketë që e kanë pasur të gjitha vendet e Evropës, por edhe më gjerë që i kanë ndihmuar bizneseve të mos e vërejnë asnjë efekt negativ, të mos ndikojë në ulje ose në mbyllje te biznesit.

Ne nuk jemi fajtorë që së pari nuk është përgatitur tregu, nuk kemi konkurrencë, kemi monopol. Nuk është asnjë biznes kundër daljes në treg të lirë, duam të kemi treg të lirë, duam konkurrencë, duam të dalim në treg të lirë me vullnetin tonë, jo në mënyrë të dhunshme. Ata që na injorojnë nuk do të fitojnë”, tha Rafuna, duke theksuar se kërkesa e bizneseve është që brenda 10 ditëve ZRRE-ja ta pezullojë vendimin.