Bizneset kërkojnë heqje të barrierave në Portin e Durrësit, për produktet me prejardhje shtazore

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Importuesve të mishit, kanë organizuar një takim të përbashkët Kosovë-Shqipëri, ku është diskutuar për zgjidhjen e problemeve në portin e Durrësit, për produktet me prejardhje shtazore, të cilat vijnë nga importi si dhe vonesat te cilat janë duke u shkaktuar gjatë procesit të kontrollit. Në diskutim prioritet iu dha zgjedhjes së problemit dhe thjeshtësimit të procedurave të kontrollit, me qëllim të kalimit më të shpejtë të tyre dhe uljes së kostos së shpenzimeve.
Në një komunikatë për media të OEK thuhet se si problematika aktuale të paraqitura nga komuniteti i biznesit, në sektorin e industrisë së mishit, të cilat janë duke ndodhur në Portin e Durrësit janë diskutuar skanimi i ngarkesave, pritjet e gjata për kontroll të cilat shoqërohen me kosto të larta nga qëndrimi i ngarkesave në port. Si dhe procedura jo adekuate, gjatë realizimit të kontrollit të produkteve me prejardhje shtazore (mishit të ngrirë).
“Bizneset nuk e kundërshtojnë procesin e kontrolleve zyrtare, por kërkojnë lehtësim dhe përshpejtim të këtyre procedurave, qe bizneseve mos të u shkaktohet kosto”, thuhet në njoftim. .
Kërkesë nga bizneset, importuesve nga Kosova ishte që ky proces i kontrollit të kryhet në Kosovë nga Dogana e Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, institucionet ligj-zbatuese.
Ambasadori i Republikës se Shqipërisë Qemal Minxhozi potencoi që dialogu në zgjidhjen e problemeve është thelbësorë, duke ofruar përkrahjen që kjo çështje të adresohet tek autoritet shtetërore Shqiptare dhe të ofrohet zgjidhje praktike duke u eliminuar barrierat mes dy vendeve.
Ndryshe në këtë takim pjesëmarrës ishin Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Qemal Minxhozi, përfaqësuesit e Doganës së Shqipërisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Policia Kufitare. Ndërsa nga ana e Kosovës pjesëmarrës ishin kryetari i OEK Lulzim Rafuna, kryetari i Shoqatës së importuesve te mishit z. Gjinovci, përfaqësuesit e Doganës së Kosovës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe operatoret e biznesit të cilët merren me importin dhe përpunimin e produkteve me prejardhjeje shtazore (mishit të ngrirë)./Indeksonline/