15:26 / E Enjte, 22 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Bizneset përkrahin taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë

Oda Ekonomike e Kosovës ka mbajtur sot takim informues me biznese të sektorëve të ndryshëm, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ku komuniteti i biznesit përkrah bashkërisht vendimin qeveritar duke i dhënë konsideratë më të lartë interesit të përgjithshëm shtetëror.

Sipas OEK, megjithatë për t’iu lehtësuar sado pak veprimtarinë e tyre biznesore, bizneset e prekura nga kjo taksë kërkojnë qartësim të afatit kohor të këtij vendimi dhe informim më të detajuar rreth proceseve përcjellëse.

“Për më shumë bizneset shprehin nevojën për koordinim më të mirë ndërinstitucional  për klasifikimin e brendeve ndërkombëtare, mallin që gjendet në depot doganore dhe politikave shtetërore për mbështetjen e prodhimeve vendore. Më poshtë gjeni fjalimin e kryetarit, Berat Rukiqi lidhur me qëndrimin e Odës Ekonomike për taksën prej 100%. Bazuar në parimet e përgjithshme të shprehura në preambulen e Marrëveshjes “CEFTA”, përfshirë riafirmimin e vendeve anëtare për demokraci pluraliste të bazuar në shtetin ligjor, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore; duke iu referuar deshtimeve të të gjitha mekanzimave nderkombëtare në adresimin e shkeljeve të marrëveshjeve ndërkombëtare, nga ana vendeve anëtare te CEFTA-s, veçanerisht nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina; Bazuar në supozimin që tregtia e lirë ka kuptim vetëm kur zhvillohet në kushte të barabarta, fer dhe me respekt reciprok; bazuar në interesin shtetëror p ër fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, si një ndër parakushtet për stabilitet politik dhe ekonomik, OEK përkrah vendimin për masa të politikës tregtare ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, si mjet i pashmangshëm për zbatim te marrëveshjes së CEFTA-së, zbatim te marrëveshjeve bilaterale me Serbine dhe respektim te lirive themelore, përfshire lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Në mënyrë që ky vendim të krijoj efektet ekonomike, pa shkelur marrëveshjet ndërkombëtare, dhe të ketë një qëndrueshmëri, duhet të respektoj ligjet dhe politikat që rregullojnë aspektet e tregtisë, përfshirë ligjin për masa mbrojtëse dhe dispozitat për praktika të padrejta tregtare. Për të minimizuar çdo efekt negativ në treg, Oda Ekonomike e Kosovës, ka rritur komunikimin me bizneset dhe partnerët e rëndësishëm ndërkombëtar, për krijim të alternativave për furnizim emergjent dhe afatgjatë”, thuhet në komunikatën e OEK.

OEK thotë se së shpejti do të dalin me rekomandime konkrete për riorientim ekonomik, që do të  mundësojë të jemi më konkurrues me prodhimet tona dhe plotësim të nevojave të tregut me prodhime nga vendet me të cilat Kosova ka raporte të shëndosha ekonomike dhe politike.