10:32 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

BKT mban ceremoni festimi me rastin e ndryshimit të statusit të saj

Banka Kombëtare Tregtare ka mbajtur  një ceremoni festimi me rastin e ndryshimit të statusit të saj nga Degë e Bankës së huaj në Bankë,  në 10 vjetorit të shtrirjes së saj në Kosovë. Ceremonia u mbajt në Hotel Emerald, me 26 Qershor, 2018, ku morën pjesë shumë figura eminente të shoqërisë si dhe shumë klientë dhe bashkëpunëtorë të Bankës Kombëtare Tregtare.

Ceremoninë e hapi ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Znj. Kivilcim Kilic, me një fjalim rasti, ku tha: “Kjo është nje ditë shumë e rëndësishme për institucionalizimin e sektorit financiar në Kosovë dhe zhvillimit ekonomik të saj. Kam bindjen e plotë se ky progres, që do të sjellë shërbime dhe mundësi më të avancuara, do të kontribuoj në arritjen e standardeve më të larta në sektorin financiar, si dhe në rritjen e standardit jetësor.” Ajo gjithashtu foli edhe për bashkëpunimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë. “Siç themi gjithmonë, investimi turk në Kosovë, është investim për të ardhmen. Me pothuajse EUR 388 milion, Turqia është investitori i tretë më i madh në këtë vend, në sektor të ndryshëm si bankar, infrastrukturor, shëndetësi, dhe shërbime tjera. Volumi i tregtisë në mes të vendeve tona është EUR 288 milion, dhe ne jemi të përkushtuar që ti rrisim këto vlera, siç mbesim të përkushtuar për rritjen ekonomike të Kosovës si dhe mirëqenien e Kosovarëve,”- shtoi Znj. Kivilcim Kilic.

=

Kryeshefi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare Tregtare, Z. Suat Bakkal tha se dhjetë vjet janë moment i rëndësishëm për një institucion, prandaj, kremtimi ynë është një rast i madh që të ndalemi dhe të shohim mbrapa rrugëtimin tonë të suksesshëm në Kosovë, dhe që të shpalosim planet tona për të ardhmen si bankë. “Më lejoni t’ju them se misioni i grupit tonë është të kontribuojë në rritjen e standardit të jetës duke përdorur talentet dhe energjinë tonë për të zhvilluar zgjidhje që i shtojnë vlera jetëve të njerëzve në çdo rajon në të cilin veprojmë. Prandaj, ekspertiza jonë, shtrirja, dhe burimet tona na japin mundësi për të luajtur rol të rëndësishëm që të ndihmojmë rritjen ekonomike në shumë vende. Jemi thellësisht të përfshirë në këtë duke punuar me partner për të nxitur lëvizjen ekonomike dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, për të mundësuar qasje në kapital për bizneset dhe për të mbështetur sipërmarrësit dhe organizatat jofitimprurëse.”- tha Z. Bakkal.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Bordit të Bankës Kombëtare Tregtare Z. Mehmet Usta i cili ndër të tjera tha: ‘Në emër të aksionerëve dhe Bordit të Drejtorëve të Bankës Kombëtare Tregtare, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë ndaj rregullatorit Bankar, Bankës Qëndrore të Kosovës, Menaxhmentit profesional të Bankës si dhe stafit për përkushtimin e vazhdueshëm dhe punën e palodhshme. Një falenderim i veçantë i dedikohet klientëve tanë të cilat na kanë besuar dhe vazhdojnë të na besojnë; si dhe për partnerët tanë dhe mediat të cilët na kanë mbështetur ndër vite dhe vazhdojnë të na mbështesin edhe sot’.

Duke qenë Bankë me kapital të huaj në Kosove, Banka Kombëtare Tregtare vazhdimisht promovon mundësitë për investime si dhe përparësitë që ofron tregu i Kosovës. Së fundmi, BKT ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë turke për invacion, Inovaban, e cila do të ofroj shërbime konsulence për klientët e Bankës Kombëtare Tregtare. Në një prezentim të shkurtër, Drejtori Gjeneral i Inovaban, Z. Kazim Acatay, tha: “Me eksperiencën dhe dijen tonë, ne do të krijojmë një urë lidhëse në mes të Kosovës dhe Turqisë në fushat e Hulumtimit dhe Zhvillimit si dhe në ekosistemet e inovacionit.  Për më tepër, ne do të ofrojmë konsulencë për bizneset start-up, përmes komunikimit dhe lidhjes së këtyre bizneseve më njëra tjetrën për të krijuar zgjidhje më të mira.”

Banka Kombëtare Tregtare operon në Kosovë që nga viti 2007, si një degë e Bankës Kombëtare Tregtare Shqipëri. Në 10 vitet e saj të operimit në Kosovë, Banka ka realizuar rritje të dukshme në të gjithë treguesit financiar duke zgjeruar pjesëmarrjen e saj në treg. Si rezultat i rritjes së vazhdueshme dhe ndikimit të saj të rëndësishëm në tregun bankar, me datë 30 Prill, 2018, Banka Kombëtare Tregtare Dega në Kosovë, ndryshon statusin e saj nga Degë e Bankës së huaj, në Bankë, si Shoqëri Aksionare. Me ndryshimin e statusit Banka ka ndryshuar edhe emrin nga Banka Kombëtare Tregtare Dega në Kosovë, në Banka Kombëtare Tregtare Kosovë SH.A.