Blair merr pjesë në takimin e Shtëpisë së Bardhë me Trumpin për të diskutuar rreth ‘Gazës së pasluftës’

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair do të marrë pjesë në një takim në Uashington, të kryesuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, për të diskutuar planet për Gazën e pasluftës, ka konfirmuar BBC.
I dërguari i Lindjes së Mesme, Steve Witkoff, ka thënë se SHBA-të po hartojnë një plan “shumë gjithëpërfshirës” për “të ardhmen” pas konfliktit, shkruan BBC.
Takimi vjen pasi ushtria izraelite i paralajmëroi palestinezët se evakuimi i Qytetit të Gazës ishte “i pashmangshëm”, ndërsa forcat e saj përgatiten ta pushtojnë atë.
Tanket izraelite hynë në një zonë të re të qytetit gjatë natës, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar më shumë banorë të largohen, thanë dëshmitarët.
Mijëra njerëz janë zhvendosur tashmë për shkak të përparimeve të fundit izraelite – kryesisht në pjesë të tjera të qytetit, ku ende jetojnë rreth një milion palestinezë.
Në fillim të gushtit, Izraeli njoftoi planet për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës – përfshirë Qytetin e Gazës, të cilin e përshkroi si bastionin e fundit të Hamasit.
OKB dhe organizatat joqeveritare kanë paralajmëruar se një ofensivë izraelite në Qytetin e Gazës – ku u shpall zi buke javën e kaluar – do të kishte një “ndikim të tmerrshëm humanitar”.