75 Mall Live Search
09:47 / E Diele, 01 Mars 2026 / B XH

Blakaj: Mosha e përdoruesve të narkotikëve në 16 vjeç, në rritje edhe kokaina

Nëse 10 vjet më parë fillimi kur një person filloi përdorimin e drogës ishte rreth moshës 21-vjeçare, tani mosha kur të rinjtë nisin përdorimin e substancave narkotike është 16 vjeç, e që kjo ka ngritur shqetësimin edhe për qendrën “Labyrinth”, ku drejtori i saj, Safet Blakaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë edhe se Kosovë janë mbi 40 mijë përdorues të drogave.

Lloji më i përhapur përveç marihuanës, në pesë vjeçarin e fundit, është edhe kokainë.

“Në fakt, drogat kanë një dinamikë të vetën që ndryshojnë gjërat prej vitit në vit, e pastaj çdo dekadë e kështu me radhë. Ne kemi pasur shumë problem me drogën e tipit heroinë vitet më përpara, që ka qenë droga kryesore pothuajse në Kosovë. Tani, nëse flasim për pesëvjeçarin e fundit, atëherë përveç mariuhanës, natyrisht, që është shumë e përhapur jo vetëm në qytete, por edhe në mjediset rurale, po ashtu me shpejtësi është rritur tre vitet e fundit përdorimi i drogës të tipit kokainë”, ka treguar Blakaj.

Ai ka ngritur shqetësimin rreth përdorimit të drogës, me theks tek moshat e reja.

“Dhe sa për ilustrim, po përmend që para pesë vitesh te ne, ata që janë paraqitur për probleme me drogën kokainë, mosha ka qenë 35-45 vjeç. Kjo ka rënë dukshëm, për shembull në vitin paraprak (2025), kjo moshë ka rënë në 25-35 vjeç me tendencë të rënies. Natyrisht se mosha mesatare për të gjitha drogat, e atyre që janë të regjistruar në qendrën tonë, tani ka rënë në moshën 16-vjeçare kur fillojnë përdorimin e drogës. Dhe kjo ne mendojmë që nuk ka ku të shkojë më poshtë, sepse kur nxirret mesatarja, atëherë është kjo (moshë) 16-vjeçare. Nëse krahasojmë me 10 vite më përpara, mosha ka qenë 21.7 vjeç kur kanë filluar përdorimin e drogës. Pra, kemi një 10-vjeçar dukshëm më të madh. Pra, jemi shumë të shqetësuar për përdorimin e madh të kokainës jo vetëm te të rriturit, por dy vitet e fundit edhe te disa që janë nënmoshë, pra nën moshën 18-vjeçare. Kemi shqetësim përtej shqetësimit për përdorimin e drogës kohët e fundit, posaçërisht për këto dy droga që i përmenda”, u shpreh ai.

Por Blakaj ka përmendur dhe rastet kur droga gjindet tek nxënësit ne shkolla, e për çka ka kritikuar mënyrën se si reagojnë nga drejtoria, pasi që thotë se ekzistojnë programe përmes të cilës të rinjtë mund të adaptohen.

“Natyrisht, shkollat janë këtu në fokus për arsye se pjesa më e madhe e të rinjve janë në sistemin shkollor, por nuk do të thotë që vetëm shkollat. Përmendet që në shkolla ose rreth shkollave shitet ose përdoret droga. Po, kemi mjaft raste. Nuk është kjo që shkollat të stigmatizohen, por më pengon kur shkollat, kur gjejnë raste përdorimi brenda shkollës të individëve, nuk reagojnë në mënyrën e duhur. Çka është e mënyra e duhur? Nuk mjafton vetëm të thirret policia dhe policia t’ia dërgojë qendrës për punë sociale për t’u marrë me personin, por duhet një afrim i një trajtimi. Ne kemi një lloj programi që po mundohemi ta zbatojmë që quhet ‘Identifikimi i hershëm dhe intervenimi i shpejtë te përdoruesit e drogave’. Pra, me këtë program mund të bëhet diçka që sa më shumë të informohen të rinjtë mbi drogat, në mënyrën e vërtetë të paraqitjes së drogave, jo me stërzmadhime ose stërvogëlime të efekteve të tyre e kështu me radhë. Ka programe që mund të adaptohen, ka programe që mund t’i bëjmë për nevojat tona këtu në Kosovë”, theksoi tutje Blakaj.

E teksa tregon se janë mbi 40 mijë përdorues të substancave narkotike, shpjegon edhe ndarjen mes përdoruesve të drogave dhe përdoruesve problematikë të drogave.

“Një shifër e përgjithshme në Kosovë janë diçka përmbi 40,000 përdorues të drogave. Ne i ndajmë në dy kategori: përdorues të drogave dhe përdorues problematikë të drogave. Përdorues problematikë të drogave janë të gjithë ata persona të cilët përdorin tri herë e më shumë në javë cilëndo prej drogave, duke përfshirë edhe marihuanën. Pra ky është definimi, e të tjerë që kanë shkaktuar varshmëri, që janë në konflikt me ligjin e kështu me radhë. Të miturit, përveç atyre që bien në konflikt me ligjin, ka shumë pak që kërkojnë trajtim, bilem pak këtu në Kosovë. Por në punën tonë në terren ne e vërejmë shumë më qartë dhe shumë më prekshëm gjërat se çfarë po ndodh. Ne kemi ekipe që punojnë edhe në terren dhe kemi raporte që ata i përgatisin për të parë se çfarë po ndodh në terren”, nënvizoi ai.

Drejtori thotë se trendi i rritjes së përdoruesve të narkotikëve është me ndikim nga shtetet e Bashkimit Evropian.

“Natyrisht, për përdorimin e drogës, në fund kur të analizohet mirë, atëherë nuk kemi kujt t’ia drejtojmë gishtin, për arsye se ky është një fenomen i tejet përhapur edhe këtu në Ballkan, e shumë më tepër pason në shtetet e BE-së, ku është numër më i madh edhe i moshave shumë më të ulëta. Por, sido që të jetë, ky fenomen është rritur me shpejtësi, mendoj si një dukuri e cila vjen me inercion prej BE-së ose shteteve të Evropës. Natyrisht, të rinjtë tanë përpiqen t’i përcjellin trendet si ato për të mirë, e disa prej tyre edhe për të keq. Në këtë rast, ky është problemi siç është reflektuar te ne. Mund t’i drejtojmë gishtin (vetes) sepse jemi të vetëdijshëm që duhet ndërmarrë diçka në parandalimin e përdorimit të drogave. Strategjia nacionale e drogave e cila është aprovuar vitin e kaluar duhet të gjejë zbatim sepse aty janë shumë mirë sipas planit të veprimit që duhet institucionet në përgjithësi, por edhe ne si organizatë që merremi me këtë problematikë, t’i marrim përgjegjësitë tona që të përpilojmë një program gjithëkombëtar për parandalimin e përdorimit të drogave, specifikisht te të rinjtë”, tha ai.