75 Mall Live Search
11:42 / E Hënë, 02 Shkurt 2026 / S Z

Blakaj: Mosha mesatare e përdoruesve të drogës në Kosovë ka rënë në 16 vjeç

Përdorimi i drogave në Kosovë po shënon një trend shqetësues, me ulje të vazhdueshme të moshës së përdoruesve. Drejtori i qendrës specialistike psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj, ka thënë në RTK se mosha mesatare e personave që paraqiten për trajtim ka rënë në 16 vjeç, ndërsa në dekadën e parë pas luftës kjo mesatare ishte mbi 21 vjeç.

Sipas Blakajt, edhe pse rastet e fëmijëve 9–10 vjeç janë të rralla, ato ekzistojnë. Ai ka treguar se në praktikën e tij janë trajtuar dy raste të fëmijëve nëntëvjeçarë, njëri prej të cilëve kishte rënë në kontakt me drogën përmes babait, i cili ishte përdorues i heroinës.

“Problemi kryesor sot është grupmosha 15–17 vjeç. Këta janë më të ekspozuarit ndaj kontaktit me drogën dhe kërkojnë trajtim shumë më kompleks sesa të rriturit”, theksoi Blakaj.

Sipas tij, shqetësuese është ulja e ndjeshme e moshës së përdoruesve të kokainës. “Në vitet e mëhershme, përdoruesit e kësaj droge ishin kryesisht 35–45 vjeç, ndërsa sot shumica janë në moshën 25–35 vjeç, madje ka raste edhe nën 18 vjeç, përfshirë vajza adoleshente”.

Blakaj tha se një nga shkaqet kryesore të këtij fenomeni është mungesa e programeve të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të parandalimit, veçanërisht për të miturit.

“Përdorimi i drogave nuk fillon domosdoshmërisht brenda shkollave, por jashtë tyre, ndërsa sistemi arsimor shpesh dështon në reagimin e duhur ndaj rasteve të evidentuara”.

Sipas Blakajt, presioni i bashkëmoshatarëve dhe dëshira për t’iu përkitur një grupi janë faktorë kyç që ndikojnë në fillimin e përdorimit të drogave, ndërsa familja, shkolla dhe institucionet shpesh dështojnë ta identifikojnë problemin në fazat e hershme.

Ai tha se është e pavërtetë se kush përdor drogë mbetet gjithmonë i varur. “Kemi shumë shembuj që e kanë braktisur dhe kanë krijuar familje”, tha ndër të tjera Blakaj.