Blegtorët e Deçanit i rikthehen ritit të ngjyrosjes së deleve|Video

Ndërkohë në Beleg të Deçanit banorët kanë nisur ta ringjallin ritin e ngjyrosjes së deleve me të zbritur nga bjeshka. Ky rit i lashtë po konsiderohet si dëshmi e lidhjes së banorëve të kësaj ane me trashëgiminë shpirtërore e materiale ndër shekuj.
Kështu, Shkëlzen Ferizi, nga Kodralia, pas 25 vjetësh i është kthyer blegtorisë, punë që po e bën me përkushtim.
Pas tre muaj verime në Bjeshkën e Belegut, Shkelzeni në prag të kthimit të deleve, këtij riti të lashtë shqiptar, po i ngjyros me të kuqe rreth 90 bardhoka të Dukagjinit, aq sa numëron kopeja e tij.
“Riti i kthimit të deleve, pra zbritja nga bjeshka, edhe në të kaluarën është shoqëruar me elemente të tjera përcjellëse për mbrojtje nga ‘syri i lig’, siç janë: vendosja e kambanave dhe pasqyrave për ogiçët apo prijësit e tufës, punë të cilat i kryen bariu”, theksoi Shkëlzen Ferizi, blegtor.
Për këtë traditë të lashtë flet plot mallëngjim edhe Muharrem Ferizi me qëndrim në Zvicër, i cili pushimet po i bën në bjeshkën, ku e ka kaluar rininë e tij.
Për zyrtarët e Komunës së Deçanit, ringjallja e këtij riti nga blegtori, është dëshmi e lidhjes së banorëve të kësaj ane me trashëgiminë shpirtërore e materiale ndër shekuj.