75 Mall Live Search
14:07 / E Enjte, 18 Shkurt 2021 / OSH

Blenë iPhone X dhe ushqim me para të falsifikuara, gjykata vendos për të dyshuarit

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave të dyshuar për vënie në qarkullim të parave fals.

Ndaj të dyshuarve O.K., L.S., L.H. dhe S.SH, është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 31.12.2020, 27.01.2021, 13.02.2021 dhe 16.02.2021, të të pandehurit në bashkëveprim, duke e ditur se paratë janë të falsifikuara, i kishin vënë në qarkullim duke i përdorur si të vërteta, duke blerë Iphone X dhe gjësende nëpër markete të ndryshme, me ç’rast kanë dëmtuar persona të ndryshëm”, bëhet e ditur në njoftimin e gjykatës.

Gjykata ka bërë të ditur se njëri nga të dyshuarit është shtetas i Serbisë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e krimeve të rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të të pandehurve, për caktimin e masave alternative, duke konsideruar se caktimi i masës së paraburgimit krijon kushte për zhvillimin me sukses të procedurës penale, duke e marrë parasysh edhe faktin që njëri nga të pandehurit është shtetas i Republikës së Serbisë dhe mund t’i ikë drejtësisë”, thuhet në njoftim.