Bleona Kadriu shpallet sportistja e vitit në Skenderaj
Komuna e Skenderaj ka shpallur sot më të mirët e vitit 2019 në sport.
Epitetin e më të mirës për vitin 2019, e ka fituar volejbollistja e klubit “Skenderaj”, Bleona Kadriu, trajneri më i mirë është shpallur Yll Kadriu, ndërsa klubi më i mirë është shpallur pikërisht klubit i volejbollit “Skenderaj”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, i pari i Komunës së Skenderaj ka uruar fituesit e këtyre çmimeve, duke i falënderuar ata për kontributin e madh të dhënë në avancimin e sporteve të ndryshme në këtë komunë.
Ja postimi i plotë i Bekim Jasharit:
“Urime çmimi sportisti i vitit në Skenderaj Bleona Kadriu!
Në manifestimin e zgjedhjeve të laureatëve të sportit për vitin 2019, në Skenderaj, nderuam me falënderime dhe morënjohe të gjithë kontribuesit e sportit në komunën tonë, duke përfshirë bizneset, shoqatat e dalura nga lufta, deputetë, artistë dhe gjithë kontribuesit e sportit.
Sot kemi shpallur sportistin e vitit për Komunën e Skenderajt, derisa ky epitet i takoi sportistes Bleona Kadriu, nga klubi i volejbollit në konkurencën e femrave KV “Skenderaj”, çmime të tjera morën Klubi i Volejbollit “Skenderaj” si klubi më i mirë i komunës, pastaj trajneri i vitit është shpallur Ylli Kadriu, po ashtu nga KV “Skenderaj”.
Kemi nderuar me mirënjohje edhe të tjerët si veteranët e sporteve, sportistë të dalluar që kanë treguar rezultate në gara, njerëz që kanë kontribuar shumë për të avancuar sportin në komunën tonë.
Më këtë rast, dua t’u shpreh mirënjohje të thellë të gjithë sportistëve të komunës sonë, punëtorëve sportiv, klubeve, trajnerëve, veteranëve, grupeve të tifozëve dhe gjithë të tjerëve që kanë dhënë kontribut të madh, e në veçanti donatorëve, në zhvillimin dhe avancimin e sporteve të komunës sonë”, ka shkruar Jashari në Facebook.
