75 Mall Live Search
17:52 / E Mërkurë, 17 Dhjetor 2025 / Z S

Blerim Sallahu nënshkruan Standardet për Shërbime Sociale për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës në Familje

Ministri i Drejtësisë dhe kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka nënshkruar sot Standardet për Shërbime Sociale për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore.

Sipas Sallahu-t, ky dokument përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të standardeve ligjore dhe profesionale për të gjithë profesionistët që punojnë drejtpërdrejt me viktimat e dhunës. Standardet synojnë të rrisin qëndrueshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin e shërbimeve, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenien e viktimave.

Standardet e miratuara ofrojnë udhëzime praktike mbi detyrimet ligjore, politikat dhe Procedurat Standarde të Veprimit (PSV), si dhe përcaktojnë tregues të qartë performance për monitorim dhe vlerësim efektiv të shërbimeve sociale.

Ky dokument është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe me Konventën e Stambollit, duke synuar ndërtimin e një sistemi më të fortë dhe më të besueshëm për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.