11:01 / E Hënë, 06 Nëntor 2023 / k.v

Blerja e ambasadave/ Qeveria planifikon ndarjen e mbi 10 milionë eurove për vitin e ardhshëm

Ekzekutivi kosovar muajin e kaluar ka miratuar vendimin për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Kosovës në Berlin, si dhe blerjen e objektit rezidencial në Washington.

Ndonëse Qeveria nuk e ka bërë të ditur koston financiare për blerjen e këtyre objekteve, tani me miratimin e projektbuxhetit për vitin 2024, i cili ka arritur në Kuvend, figuron shuma prej 10 milionë e 125 mijë euro e ndarë për blerjen e ambasadave.

Në projektbuxhetin që pritet të votohet në Kuvend, për vitin 2024 janë paraparë të ndahen 10.125.000 euro për blerjen e ambasadave, në vitin 2025  janë planifikuar 14.000.000 ndërsa për vitin 2026 janë planifikuar të ndahen 14.125.000 euro.

“Me 18 tetor të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën është miratuar vendimi për fillimin e procedurave për blerjen e objektit për nevoja të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Republika Federale e Gjermanisë, si dhe blerjen e objektit rezidencial në Washington D. C., në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndryshe para 11 muajve Qeveria kishte ndarë 2.47 milionë euro për blerjen e objektit të Ambasadës së Kosovës në Londër.

Qeveria për herë të parë në vitin 2021 ndau 10 milionë euro për blerjen e ambasadave në shtete aleate. Deri para këtij vendimi Kosova ka pasur në pronësi vetëm objektin në Belgjikë./IndeksOnline/