13:52 / E Mërkurë, 18 Tetor 2017 / indeksADMonline

Bletarët gjilanas përfitojnë pajisje elektrike

Drejtoria e Bujqësisë dhe e Pylltarisë, sot ka bërë shpërndarjen e pajisjeve elektrike të centrifugave, për bletarët gjilanas, projekt ky i planifikuar në kuadër të programit për mbështetjen e fermerëve të Komunës së Gjilanit dhe nxitjen e prodhimit më të madh të mjaltit.

Drejtori i kësaj drejtorie, Ramiz Ramadani ka thënë se ky projekt që kap vlerën mbi 12 mijë euro dhe është në kuadër të mbështetjes së fermerëve të cilët janë gjithnjë në rritje sa i përket kapaciteteve prodhuese në të gjitha fushat.

“Komuna e Gjilanit ka kushte të jashtzakonshme, sa i përket mundësisë që bletarët të merren me këtë veprimtari që njëkohësisht ka edhe levërdinë e saj materiale, por konkretisht levërdinë shëndetësore për njeriun. Gjilani ka rreth 250 bletarë, me afër pesë mijë shoqëri bletësh”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe vlera e projektit të sotëm është 12 mijë euro dhe është participim i Komunës me 80 për qind dhe i bletarëve me 20 për qind, ndërsa përfitues të sotëm janë 35 bletarë.

E nga ana e tij, Vesel Sadiku, kultivues i bletës dhe produkteve të mjaltit, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për angazhimin dhe punën që po e bënë në mbështetje të fermerëve, derisa ka kërkuar angazhimin më të madh të të rinjëve në punimin e tokës bujqësore./AktivPress