75 Mall Live Search
17:00 / E Martë, 01 Mars 2022 / OSH

​Blinken kërkon përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken hodhi idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ndërsa dënoi abuzimet e Rusisë, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar si rezultat i sulmit për pushtim ndaj Ukrainës,

“Me arsye mund të pyetet nëse një shtet anëtar i OKB-së që përpiqet të marrë nën kontroll një shtet tjetër anëtar të OKB-së – ndërkohë që kryen abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe duke shkaktuar vuajtje masive humanitare – duhet të lejohet të qëndrojë në këtë Këshill”, tha Blinken, raporton CNN.

Në këshill janë 47 shtete anëtare, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku një prej tyre është Rusia.

Blinken kritikoi gjithashtu vende si Kina, për mosdeklarim të qartë të faktit se Rusia është autori i vetëm i kësaj krize.

“Anëtarët e këshillit duhet të ndalojnë përdorimin e gjuhës që nënkupton se të gjitha palët mbajnë përgjegjësi të barabartë për sulmin e paprovokuar të njërës palë. Kjo nuk është e paanshme – është e gabuar – dhe nuk arrin të vendosë përgjegjësinë aty ku i takon. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët që argumentojnë, në mënyrë të rreme, se denoncimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut po ‘politizon’ situatën”, ka shtuar ai.

Blinken sfidoi UNHRC-në që të bashkohej për të provuar dhe parandaluar një luftë edhe më vdekjeprurëse.

“Këto janë shkeljet e të drejtave të njeriut që ky Këshill është krijuar për të ndaluar shkeljet. Nëse nuk mund të bashkohemi tani, kur do të bashkohemi?” tha Blinken.

Sot gjatë gjithë ditës organizatat ndërkombëtare humanitare kanë alarmuar për një katastrofë humanitare.

UNHCR tha se deri më tani më shumë se 660 mijë ukrainas janë detyruar ta lëshojnë vendin e tyre, ndërsa që një numër më i madh i refugjatëve janë ende brenda territorit të Ukrainës.