75 Mall Live Search
21:18 / E Enjte, 08 Maj 2025 / H F

Bllokada në Kuvend e takimi me Osmanin/ Qalaj shpreson në dakordim për emër të ri

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në një takim të përbashkët me liderët e partive politike, takim ky i paraparë të thirret nga presidentja Vjosa Osmani për të zhbllokuar krizën institucionale.

Deputeti inga radhet e PDK-së, Rashit Qalaj, tha se nisma për këtë takim ka ardhur pikërisht nga PDK.

“Ne si Partia Demokratike e Kosovës e kemi mbajtur takimin e kryesisë dhe pas kësaj e kemi lëshuar një komunikatë për media, ku edhe i kemi bërë ftesë presidentes së vendit që t’i ftojë partitë politike dhe të kontribuojë në zhbllokimin e situatës. Kjo ka qenë thirrja që PDK dhe kryesia e saj bashkë me kryetarin Memli Krasniqin e kanë bërë, në mënyrë që të dalim nga kjo situatë”, deklaroi Qalaj në një prononcim për IndeksOnline.

Ai u shpreh optimist se PDK do të marrë pjesë në takim, nëse ai mbahet, dhe se pret që prej këtij procesi të dalë një emër i ri për kryetar të Kuvendit.

“Meqenëse ende nuk kam ndonjë komunikim me bashkëpartiakët, personalisht mendoj se PDK do të marrë pjesë në këtë takim. Varet nga mënyra se si trajtohet në Kuvend, por shpresoj që takimi, nëse mbahet dhe nëse marrim pjesëtë krijojë mundësinë që të dalim nga kjo situatë”, tha tutje ai.

“Shpresoj se nëse liderët e partive politike marrin pjesë, do të krijohet një situatë e re dhe të kemi një kandidat tjetër. Besoj që takimi do të ketë një produkt, do të rezultojë me një emër tjetër si propozim për kryetar të Kuvendit”, shtoi Qalaj.