13:37 / E Shtunë, 19 Mars 2022 / MSH

Bllokimi i ndihmave në Mariupol po konsiderohet si i papranueshëm për shekullin 21

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) thotë se nuk mund të arrijë deri te mijëra njerëz të bllokuar në Mariupol, sepse qyteti është i rrethuar plotësisht nga forcat ruse.

Koordinatori i urgjencës i WFP-së, Jakob Kern, ka thënë për AFP se taktika e parandalimit të furnizimeve urgjente të ushqimit në Mariupol është “e papranueshme në shekullin e 21-të”.

Situata në qytetet e rrethuara të Ukrainës është “e tmerrshme”, thotë ai, dhe organizata e tij nuk është në gjendje të arrijë në Mariupol sepse shoferët e kamionëve nuk janë të gatshëm të rrezikojnë sigurinë e tyre për të arritur atje.

“Sa më shumë t’i afroheni këtyre qyteteve, aq më shumë ata shqetësohen për sigurinë e tyre,” thotë Kern. 

“Dhe kjo do të thotë se ne nuk jemi në gjendje t’i arrijmë këta njerëz në Mariupol, Sumy, Kharkiv, në qytetet që janë pothuajse të rrethuara deri tani, ose plotësisht, si në rastin e Mariupolit.”