14:08 / E Enjte, 23 Shtator 2021 / AR

Bllokimi i pikave kufitare, Sveçla: Nuk presim përshkallëzim të tensioneve

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça, tha se situata është e qetë në kufirin me Serbinë dhe nuk ka pritshmëri për tensionim apo përshkallëzim të situatës.

Megjithatë, ministri i Brendshëm i Kosovës thekson se protestat janë të organizuara nga strukturat serbe. Svelça këmbëngul se vendimi është i drejtë dhe i ligjshëm dhe cilido që e vë në diskutim këtë do të vinte në dyshim sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës.

“Ne nuk presim një përshkallëzim. Duket se nuk ka një energji të theksuar nga strukturat paralele për të përshkallëzuar situatën. Ne jemi të vendosur që ligjshmëria të zbatohet në këtë çështje, duke zbatuar ligjin t’iu shërbejmë edhe qytetarëve atje. Çfarë bën Serbia që prej çlirimit të Kosovës është që lufton shtetësinë e Kosovës. Çdo vendim i saj nuk është befasi për ne. Jemi të vendosur që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Jemi të gatshëm për marrëdhënie fqinjësore me të gjithë ata fqinjë të cilët janë konstruktivë në raportet e ndërsjella”, u shpreh ministri i Brendshëm i Kosovës për A2.