Bllokohen 34 lopë në kufirin me Kroacinë, pronari i “Erjoni Group” ankohet për padrejtësi nga AUV (Dokument)

Kompanisë “Erjoni Grup SH.P.K.” i janë bllokuar 34 lopë në kufirin me Kroacinë, një situatë që ka shqetësuar thellësisht pronarin e saj, Mirsad Bunjaku.
Në një intervistë për IndeksOnline, ai ngre akuza për trajtim të padrejtë, siç thotë, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV), duke theksuar se firma e tij është përjashtuar nga sistemi për import pa ndonjë vendim zyrtar dhe pa sqarim të procedurave.
“Firma jonë është përjashtuar nga sistemi TREJS pa asnjë vendim me shkrim, pa arsyetim dhe pa asnjë procedurë të rregullt. Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura, nuk na është mundësuar asnjë takim zyrtar për të sqaruar situatën,” deklaroi Bunjaku për IndeksOnline.
Ai thekson se kompania e tij është një operator i licencuar dhe tatimpagues i rregullt në Republikën e Kosovës, që përmbush të gjitha kushtet për import dhe therje të kafshëve në përputhje me standardet profesionale.
Sipas Bunjakut, dokumentacioni i plotë është dorëzuar në institucionet përkatëse dhe kompania ka përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe financiare, por përjashtimi ka ndodhur pa ndonjë bazë të qartë apo arsyetim të ligjshëm.
“Dyshojmë se ky vendim nuk është marrë në mënyrë të paanshme. Ka shenja që një grup i vogël importuesish po përfiton në mënyrë të padrejtë, ndërsa ne, si firmë që i kemi respektuar të gjitha rregullat, jemi lënë jashtë pa ndonjë arsye,” u shpreh ai.
Bunjaku thotë se nuk kërkon privilegje, por vetëm trajtim të barabartë dhe të ndershëm si të gjithë operatorët tjerë në treg.
Ai apelon që institucionet e vendit të ndërhyjnë për të ndaluar këtë që ai e konsideron padrejtësi të qëllimshme.
“Presim që institucionet e vendit të reagojnë dhe të ndalojnë këtë padrejtësi,” thekson ai.
Ai shton më tej se kjo nuk është hera e parë që kompania e tij përballet me veprime të tilla.
“Kjo nuk është hera e parë që ndaj kompanisë sonë aplikohen masa të tilla pa paralajmërim dhe pa arsye të qarta. Kjo sjell humbje dhe pasiguri për biznesin tonë,” deklaron Bunjaku.
Tutje, ai ka përmendur edhe emra konkretë të zyrtarëve që, gjithmonë sipas tij, po qëndrojnë prapa këtij vendimi.
“Kjo është një qëllim shumë i madh ndaj meje nga Bekim Hoxha, Bafti Murati dhe Sadik Heta. Këta kanë qëllime të mëdha që po i bëjnë këto padrejtësi,” thotë Bunjaku.
Ai thekson se tashmë i është larguar edhe e drejta për të operuar në sistemin TREJS, pavarësisht faktit që, siç deklaron ai, të gjitha kafshët e importuara ishin të therura sipas rregullave.

“Më në fund ma kanë hequr kompaninë prej sistemit. Kam pasur 3 ngarkesa me kafshë, të gjitha të therura,” tregon Bunjaku.
Për këtë arsye, ai njofton se do të ndërmarrë hapa ligjorë përmes përfaqësimit të një avokati.
“Për këtë arsye, do të angazhojë një avokat për të përfaqësuar kompaninë time dhe për të zbardhur padrejtësitë që po na bëhen nga Bekim Hoxha, Sadik Heta dhe Bafti Murati,” përfundon ai.
Ndërkohë, IndeksOnline gjatë ditës ka kërkuar takim me zyrtarët përgjegjës të AUV-it për të marrë një përgjigje lidhur me këto akuza, por të njëjtit kanë refuzuar të takohen me redaksinë, pa dhënë ndonjë arsyetim për refuzimin.









