11:27 / E Mërkurë, 05 Shtator 2018 / indeksADMonline

Bllokohen 51 tonë miell misri për kafshët nga Serbia

Në kuadër të masave të përforcuara për sigurinë e cilësinë ushqimore të produkteve që importohen, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar dhe bllokuar një ngarkesë prej 51 tonë “miell misri” për kafshë.

Trupa inspektuese e DRAKU, Kukës gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Morinë evidentoi dy subjekte, të cilët do të fusnin në Shqipëri produktin “miell misri për kafshë” me origjinë nga Serbia.

Konkretisht, mielli i misrit për kafshët, një ngarkesë prej 51 tonësh, kishte nivelin (8.6) më të lartë se norma e lejuar (5).

Gjithashtu, kjo ngarkesë nuk kishte përputhshmëri me dokumentacionin shoqërues. Pra, raport analiza nuk ka nr. loti, datë prodhimi/skadimi që ta lidhë me produktin 51 tonë miell misri për kafshë.

Menjëherë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri bllokimin e ngarkesës në fjalë, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe do të ndjekë procedurat doganore për kthimin në origjinë.

AKU thekson se do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e Sigurisë Ushqimore.

“Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët”, shprehet AKU. /ATSH/