Bllokohet Kuvendi i Shqipërisë
Parlamenti e ka të pamundur t’i kthehet normalitetit, pasi që po përdor drejtuesi i parlamentit, Gramoz Ruçi, që për të dytën seancë radhazi i ka mbyllur gojën deputetëve të opozitës, duke mos i dhënë fjalën për procedurë. Deputeti demokrat Flamur Noka nuk u lejua që të flasë dhe bllokoi foltoren e kuvendit. Pasi Ruçi i lexoi pikën e rregullores që flet për rastet kur bllokohet foltorja, Noka u pezmatua edhe më shumë duke e quajtur xhandar.
Kreu i Kuvendit, ka kërkuar që ta përjashtojë atë nga seanca. Në këtë moment, deputetët e PD-së u ngritën nga karriget të revoltuar, duke përsëritur të njëjtën skenë si një javë më parë kur u ndëshkua Lulzim Basha. Për këtë arsye, Ruçi ndërpreu seancën dhe njoftoi mbledhjen e saj në orën 17:00. Me rifillimin e seancës përsëritet sërish e njëjta histori, Flamur Noka refuzon të dalë nga Kuvendi, ndërsa Gramoz Ruçi ndërpreu punimet duke njoftuar shtyrjen e seancës për nesër në orën 08:30.
Debati i plotë
Sali Berisha: Nuk kam asgjë kundër ligjit, por kush njeh Kushtetutën kupton se ky ligj nuk mund të burojë nga Ministria e Jashtme. Ky ligj është përplasje e klaneve mafioze në qeveri.
Edi Rama pa mikrofon: I rrjedhur.
Gramoz Ruçi: Fjalën e ka zoti Rrokaj.
Flamur Noka: Harroje. Dua procedurë.
Gramoz Ruçi: Nuk ka procedurë tani.
Flamur Noka: Do më tregosh mua kur dua procedurë. Kur dua unë, jo kur do ti. Çfarë kujton ti?! Jepi fjalën.
Gramoz Ruçi: Më vjen keq që një seancë që ka dy çëshjte të rëndësishme siç është ligji për pakicat dhe vendimi për reformën zgjedhore të vijojë kështu.
Flamur Noka: Shoku Gramoz, nuk mund të na bllokosh. Nuk mund të shndërrosh Kuvendin në një teatër rrumpallë.
Gramoz Ruçi: Zoti Noka, ulu në vend.
Flamur Noka: Ti zotëri harroje se do të marrë fjalën njeri këtu.
Gramoz Ruçi: Vazhdoni, zoti Rrokaj.
Flamur Noka-Gramoz Ruçit: Mos u sill si xhandar. Jep fjalën për procedurë.
Gramoz Ruçi-Flamur Nokës: Po pengon zhvillimin e seancës. Do më detyrosh të marr masa. Të mbarojë fjalën z. Rrokaj, pastaj do flasësh ti.
Flamur Noka-Gramoz Ruçit: Rrugaç, të të vijë trup!
Lulzim Basha- Gramoz Ruçit, ndërsa Rama ishte duke u larguar nga salla: Zbato rregulloren, jep fjalën për procedurë. Merr vesh apo nuk merr vesh? Turp të të vijë! Zbaton urdhrat e atij (Ramës).
Flamur Noka bllokon foltoren, garda afrohet.
Gramoz Ruçi: Z. Noka jeni në kundërshtim me rregulloren.
Flamur Noka: O xhandar, o xhandar, ç’të duket vetja ty, në kohën e komunizmit.
Gramoz Ruçi: Ki mendjen, qetësohu dhe ulu.
Ervin Salianji: Jepi fjalën, o xhelat.
Gramoz Ruçi: Kur pushton foltoren dhe merr fjalën pa ta dhënë drejtuesi i seancës dhe pengon diskutantin për t’u shprehur, pasi të kam tërhequr vëmendjen tri herë, detyrohem të aplikoj nenin përkatës. Në mënyrë provokative ju e degjeneroni seancën në shkallë të tillë. Në zbatim të nenit 66, deputeti i ndëshkuar me përjashtim nga salla nuk ka liruar sallën. Jam i detyruar ta zbatoj në frymë dhe në germë, siç thotë neni 76 pezullimin e seancës deri në orë 19:00
Flamur Noka: Nuk të bindet njeri ty.
Gramoz Ruçi: Pas shfaqjes tënde, ti përjashtohesh nga seanca e sotme, Flamur Noka.
Flamur Noka: Hajde më përjashto.
Gramoz Ruçi: Pesë minuta pushim, përjashtohet Flamur Noka.
Flamur Noka-Gramoz Ruçit: Rrugaç, të të vijë trup!
Edi Rama: O Mul, je bërë top i Saliut.
Flamur Noka: Ku keni b… ju të bllokoni Sali Berishën.
Rinisja në orën 17:00
Gramoz Ruçi: Lidhur me kërkesën e dytë, edhe një herë…
Flamur Noka: Unë kërkoj fjalën për procedurë, ti shikon kërkesën. Ai që flet pallavra aty nuk përjashtohet.
Gramoz Ruçi: Edhe një herë ju njoftoj, Byroja e Kuvendit do të thirrjet sot në orën 19:00, të vihen në dispozicion kërkesa e bërë nga deputetët, të vihen në dispozicion procesverbali i seancës së paradites, të njoftohet deputeti përkatës nëse dëshiron të marrë pjesë në mbledhjen e Byrosë. Për vazhdimin e seancës, i bëj thirrje edhe një herë deputetit të lirojë seancën.
Flamur Ndoka: Ta lirojë deputeti Rama. Ti nuk di të drejtosh seancë. Që të na bllokosh të kanë çuar ty atje?
Gramoz Ruçi: Atëherë në këto kushte, lidhur me menin 66 të rregullores pezullimi dhe mbyllja e seancës plenare, citoj: Në rast se në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk merren parasysh kërkesat e drejtuesit të seancës për mbajtjen e rregullit, drejtuesi i seancës lë vendin e tij dhe seanca plenare quhet e ndërprerë.
Në rast se përsëri rrëmuja vazhdon, drejtuesi i seancës drejtuesi i seancës e pezullon seancën për një periudhë kohe të caktuar ose e mbyll atë. Në rast të mbylljes së seancës Kuvendi mblidhet me të njëjtin rend dite të nesërmen, nëse nuk është ditë pushimi. Jemi në kushtet e paragrafit të fundit, seancën e deklaroj të mbyllur seanca tjetër hapet nesër në orën 08:30.