“Bllokohet ndërtimi” në Fushë Kosovë/ Mijëra familje preken nga vendimi që mori kryetari Prebreza
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka ndërmarrë një seri vendimesh për pezullimin e lejeve dhe punimeve ndërtimore në territorin e kësaj komune, duke prekur mbi 20 projekte të kompanive ndërtimore.
Sipas dokumenteve zyrtare, fillimisht është anuluar në tërësi Vendimi nr. 641 i datës 14.06.2023, që kishte të bënte me kompensimin e shpronësimit përmes rritjes së koeficientit të ndërtimit.
Me këtë vendim janë anuluar edhe të gjitha veprimet juridike që kanë dalë nga zbatimi i tij.
Në vijim, Drejtoria për Planifikim Urban ka nxjerrë aktvendime për pezullimin e lejeve konkrete të ndërtimit.
Vendimet kanë hyrë në fuqi menjëherë, ndërsa me pezullimin e lejeve janë ndalur të gjitha aktivitetet ndërtimore në parcelat përkatëse.
Si pasojë e këtyre vendimeve, mijëra punëtorë të sektorit të ndërtimit kanë mbetur pa punë në ditët e fundit.
Burime nga kompanitë ndërtimore bëjnë të ditur se në disa projekte punimet janë ndërprerë në faza të avancuara, duke krijuar pasiguri si për investitorët ashtu edhe për punëtorët.
Nga ana tjetër, në dokumentet zyrtare theksohet se pezullimi është bërë për shkak të konstatimeve lidhur me përputhshmërinë ligjore dhe planifikimin hapësinor, si dhe për mbrojtjen e interesit publik.
Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, sipas këshillës juridike të përfshirë në aktet administrative.
Ndërkohë, reagimet e kompanive veç kanë nisur, pasi shumica e kompanive kanë deponuar ankesat e tyre. Ka kompani që kanë shitur banesa në objektet ku janë pezulluar lejet dhe është e paqartë se kush do t’i rimbursojë qytetarët nëse një vendim i tillë mbetet në fuqi./IndeksOnline/



