Bllokohet përkohësisht rruga Ferizaj–Prishtinë për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugë
Qarkullimi i automjeteve në një segment të rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë është ndaluar përkohësisht si pasojë e pranisë së madhe të ujit në rrugë.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, konkretisht nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt. Vendimi për bllokimin e plotë të qarkullimit është marrë në koordinim me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës.
Autoritetet bëjnë të ditur se automjetet do të devijohen dhe orientohen përmes autostradës deri në normalizimin e gjendjes.
Ky vendim është ndërmarrë si masë parandaluese për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të shmangur rrezikun në trafik. Qytetarët luten të respektojnë udhëzimet e policisë dhe të shfrytëzojnë rrugët alternative./IndeksOnline/

