Bllokohet rruga në fshatin Stagovë të Kaçanikut, shkak një mjet i pashpërthyer, i dyshuar si i Luftës së Dytë Botërore

Është bllokuar rruga në lagjen “Teneqja” në fshatin Stagovë të Kaçanikut.
Kjo pasi që kanë nisur gërmimet për një mjet të pashpërthyer, i cili dyshohet se i takon Luftës së Dytë Botërore.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se për shkak që ekziston rreziku që mjeti të shpërthejë është rekomanduar që deri më 30 prill rruga të jetë e bllokuar.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësia e KFOR-it për deminim.
“Më 26.04.2025, në lagjen “Teneqja”, fshati Stagovë, Kaçanik gjatë gërmimeve me një eskavator është gjetur një mjet i pashpërthyer, i dyshuar si i Luftës së Dytë Botërore. Patrulla policore ka marrë masa duke bllokuar rrugët alternative pranë vendit të ngjarjes. Në vend kanë dalë njësitë e FSK-së dhe KFOR-it. Sipas KFOR-it, ekziston rreziku që mjeti të shpërthejë pas 72- orësh dhe kanë rekomanduar sigurimin e mjetit deri më 30.04.2025, pas kalimit të afatit të rrezikut, për të ndërmarrë më pas veprimet e nevojshme”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.