Boca Juniors nderon Maradonën, vajza Dalma preket në tribunë!

Kjo fundjavë ishte plot me homazhe në nder të Diego Armando Maradonës në të gjithë botën. Megjithatë emocionet më të forta erdhën nga Bombonera aty ku zbritën në fushë dy prej skuadrave me të cilat El Pibe D’Oro ka luajtur, Boca Juniorsi dhe Newells Old Boysi.
Për ta nderuar klubi i Bocas kishte vendosur që të gjithë futbollistët të mbanin mbi shpinë emrin Maradona, për më tepër që të dyja skuadrat zbritën në fushë me fanellën e tij me numër 10. Ishte një ndeshje e gjitha kushtuar Maradonës, nga fillimi deri në fund.
Nisi me homazhe për legjendën, teksa në pushimin e ndeshjes u përsërit sërish gjesti i bërë të mërkurën e shkuar, ditën kur Maradona ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak.
U fikën të gjitha dritat e stadiumit dhe mbeti vetëm njëra ndezur, pikërisht dhoma, ku Maradona shijonte ndeshjet sa herë ishte i pranishëm në stadiumin “Bombonera”.
Më pas në fund të ndeshjes lojtarët bënë një tjetër gjest prekës. Në stadium ishte e pranishme një nga vajzat e Diegos, Dalma Maradona dhe të gjithë lojtarët u drejtuan tek ajo në fund të ndeshjes dhe ia dedikuan fitoren e mbrëmshme ndaj Newell’s Old Boysit.