13:00 / E Mërkurë, 25 Shtator 2019 / indeksADMonline

Bogaj: Qëndroj në politikë ekskluzivisht për të rinjtë

Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Yll Bogaj është i bindur se të rinjtë e Kosovës meritojnë trajtim të barabartë dhe shanse të barabarta në secilën mundësi që krijojnë institucionet e vendit për ta.

Në një interviste për Indeksonline, Bogaj ka shpjeguar se angazhimi i tij politik lidhet kryesisht me përfaqësimin e të rinjve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

1. Cili ka qenë motivi juaj kryesor për t’u bërë pjesë e garës për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës?

Përfundimisht të rinjtë. Jetojmë në një ambient ku kushtet e përgjithshme sociale dhe ekonomike, e kërkojnë një reflektim publik ndaj rrethanave në të cilat jemi, ndaj rrethanave me të cilat përballën të rinjtë e Republikës së Kosovës, si dhe po ashtu edhe ndaj zgjidhjeve që kemi në dispozicion për t’i ndryshuar gjërat në të mirë të tyre dhe shoqërisë në përgjithësi. Sfera kryesore ku mund të ngritën këto çështje është politika.

Prandaj edhe jam në politikë, sepse besoj se përmes kësaj veprimtarie, përmes aksionit politik dhe debatit, ne mund të nxjerrim në pah nevojat e qytetarëve dhe t’i orientojmë problemet drejt zgjidhjes.

Kam qenë edhe më herët i angazhuar në politikën lokale dhe aktualisht jam pjesë e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, periudhë kjo që më ka shërbyer për të kuptuar se në kohën e sotshme, problemet lokale të qytetarëve dhe veçmas rinisë, kërkojnë zgjidhje direkte lokale por kërkojnë po ashtu vazhdimësi të kujdesit nacional ndaj tyre. Prandaj, kam marrë përsipër që këtë nivel të kujdesit ta drejtoj dhe ta argumentoj nga pozita e deputetit, nga detyra e përfaqësimit të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

2. Çfarë iu ofroni të rinjve dhe si e shihni kontributin tuaj si deputet në çështjet që i preokupojnë të rinjtë?

Nuk mendoj se shteti dhe institucionet janë adresa e vetme që mund të ofrojnë shumë për të rinjtë por shteti dhe institucionet duhet të garantojnë të rinjtë kushdo qofshin dhe nga kudo qofshin, se shanset e tyre të barabarta për t’i ndjekur planet jetësore private, ekonomike, edukative, sportive dhe në sferën e punësimit, do të mbrohen me çdo kusht.

Prandaj, unë kam marrë përsipër që të jem zë i të rinjve në Kuvendin e Kosovës në kuptim të mbrojtjes së barazisë së shanseve mes tyre. Por kjo përkthehet në çështje konkrete. Duhet barazi dhe vlerësim i drejtë i potencialit të të rinjve, si në ndarjen e hapësirës për arsim, për ndërmarrësi, për qasje në financa, për grante dhe për financimin e projekteve të tyre. E kjo ndërlidhet me transparencë.

Nuk duhet harruar se të rinjtë që janë afër qendrave kryesore institucionale e kanë më të lehtë depërtimin por kjo nuk vlen njëjtë edhe për të rinjtë që jetojnë në qendrat më pak të zhvilluara. Prandaj, si deputet, do kujdesem që mundësitë që krijojnë institucionet, të arrijnë në mënyrë të barabartë tek secili i ri, ku do që jeton në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

3. Jeni pjesë e AAK-së brenda koalicionit AAK-PSD. Cili është mesazhi juaj kryesor brenda këtij koalicioni?

Kosova ka kaluar 20 vite që nga paslufta dhe është shumë e qartë se qytetarët duan një perspektivë të qëndrueshme. Në planin politik, Koalicioni AAK-PSD qëndron për konceptin e shtetit 100%, që lidhet me sovranitetin e plotë, sigurinë dhe zhvillimin e mëtejmë të Republikës së Kosovës. Në planin praktik, ky koalicion deshifrohet në shumë çështje të rëndësishme për përditshmërinë e qytetarëve. Angazhimi im themelor brenda këtij koalicioni është që një segment substancial i programit tonë politik, rinia, të jetë pjesa vitale që do ta ketë mbështetjen e plotë dhe perspektivën e garantuar.

Mesazhi im për të rinjtë e Republikës së Kosovës është shumë i qartë: në Kuvendin e Republikës së Kosovës, unë do qëndroj përballë kërkesave të tyre legjitime, për barazinë e shanseve dhe për gjithë përfshirjen e të rinjve në mundësitë që krijojnë institucionet tona, për secilin të ri anekënd territorit të Republikës së Kosovës.