14:13 / E Shtunë, 01 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Boiken Abazi paralajmëron protesta nëse s’votohet Qeveria Kurti

Boiken Abazi, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka paralajmëruar protesta dhe rrëzim qeverish që ndërtohet nga pushteti i vjetër. Ka thënë se deputetët e Parlamentit e kanë në dorë nëse do të votojnë për ndryshim apo për protesta dhe rrëzim qeverish.

“Kuvendi i Rëpublikës së Kosovës e ka në dorë të marrë vendim ditën e hënë nëse vitii 2020 do jetë viti i qeverisë së ndryshimeve të qeverisë Kurti 1, apo viti ku do i shtyjë qytetarët të organizojnë protesta masive që do rrëzojnë çdo lloj qeverie të pushtetit të vjetër”, ka shkruar Abazi, në një reagim në Fb.

Ndryshe, kanë mbetur edhe dy ditë prej afatit të fundit kur Albin Kurti do të shkojë në Parlament për të kërkuar votën e deputetëve për të ndërtuar Qeverinë.

Ndërkohë, kanë kaluar 118 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vetëvendosje doli fituese. Më shumë se një muaj kanë kaluar prej se është votuar Kryetari i Kuvendit dhe është hapur mundësia e votimit për Qeverinë e Kosovës.